Receta për një familje të shëndetshme, rrëfimi inkurajues që duhet lexuar

62

Maeda nga Thumana është një nënë e përkushtuar. Fëmijët i konsideron “dritën e syve”. Ata janë gjithçka për të. Pavarësisht sfidave, 39-vjeçarja i kushton shumë rëndësi rritjes së shëndetshme dhe edukimit të tyre. Por, edhe pse ka mbi 22 vite që është bërë prind, Maeda na tregon se këtë vit ka mësuar gjëra që nuk i dinte për ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme me bashkëshortin dhe fëmijët.

 “Njeriu mëson gjithë jetën, pasi gjithmonë ka vend për përmirësim. Duket e çuditshme, por modele që nuk i kisha praktikuar në 2 dekada si prind, kam nisur t’i zbatoj tani me fëmijët e mi,”- shprehet me buzëqeshje ajo.

Nëna e 4 vajzave dhe 1 djali jetonte në një fshat në periferi të Thumanës, por prej pak muajsh është zhvendosur bashkë me familjen në një nga apartamentet e reja të ndërtuara në qendrën e njesisë administrative të Thumanës. Banesa ku jetonte më parë u shemb nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit 2019.

Përjetuam traumë. Fëmijët ende nuk e kanë marrë veten emocionalisht. Shpesh më kërkojnë që ta lë derën e dhomës së gjumit hapur, pasi kanë frikë”, – vijon më tej rrëfimin e saj Maeda.

Një sërë ndërhyrjesh janë ndërmarrë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të kësaj zone, të cilët pas tërmetit u përballen edhe me pandeminë COVID-19. Projekti “Përmirësimi i aftësive të familjeve për të përballuar situata emergjente” prej rreth 1 viti ka mbështetur 115 familje në Bashkinë Krujë. Projekti që zbatohet nga World Vision Albania në njesitë administrative Thumanë, Bubq dhe Fushë-Krujë, përveç ndihmës për hedhur bazat e një zhvillimi ekonomik më të qendrueshëm, po i mbështet familjet edhe me trajnime e këshillim që të përballojnë më mirë situatat emergjente në të ardhmen.

Maeda është një prej 57 prindërve të trajnuar për ndërtimin e praktikave të shëndetshme të prindërimit dhe të aftësive të nevojshme për të përballuar më mirë situatat e emergjencës.

“Gjatë takimeve në kuadër të “Festojmë Familjen” kemi mësuar se si të kujdesemi për veten dhe fëmijët. Gjithashtu kemi mësuar mbi shëndetin mendor dhe marrëdhënien në çift. Kemi përfituar shumë edhe nga eksperiencat e prindërve të tjerë. Pavarësisht se përpiqem të jem një nënë e mirë, zbulova shumë gabime tek vetja ime në marrëdhënien me fëmijët. Nuk ua falja gabimet dhe ndonjëherë sillesha ashpër me ta. Nuk duhet të jemi të ashpër me fëmijët, duhet t’i trajtojmë me dashuri dhe respekt,”- shprehet Maeda.

39-vjeçarja shprehet se dëshira e saj e zemrës është që edhe prindërit e tjerë të kenë mundësi të bëhen pjesë e trajnimeve për Prindërimin Pozitiv. Vetë Maeda po bën pjesën e saj. Tashmë 39-vjeçarja është edhe një agjente ndryshimi në komunitet, pasi mësimet e marra po i diskuton me kolegët në punë, me shoqet dhe të afërmit. Mesazhi i saj është i thjeshtë, por esencial; dhuroni sa më shumë dashuri në familje.

Këto takime ua sugjeroj fuqimisht nënave. Unë jam nënë e 4 vajzave dhe është shumë e vështirë. Ka vetëm një mënyrë për të patur një familje të shëndetshme; komunikim. Të gjitha nënave dhe baballarëve iu sugjeroj që të komunikojnë vazhdimisht me fëmijët e tyre dhe njëri-tjetrin. T’i pyesin për nevojat apo shqetësimet që kanë. T’i dëgjojnë, t’i inkurajojnë, por edhe t’i falin. Dashuria, kjo është kryefjala e gjithçkaje,”- e mbyll rrëfimin e saj Maeda.

Në kuadër të projektit “Përmirësimi i aftësive të familjeve për të përballuar situata emergjente”, 57 prindër në bashkinë Krujë janë mbështetur me aktivitete psiko-sociale dhe mjete didaktike për realizimin e aktiviteteve me fëmijët në familje.

Ky ndërhyrje është marrë në kuadër të “Përgjigje e Mbrojtje Sociale ndaj Tërmeteve” (ESPR), një projekt i zbatuar nga UNDP Albania dhe financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, Qeveria e Finlandës dhe Qeveria e Norvegjisë. Projekti mbështet Qeverinë Shqiptare dhe tre bashki të prekura nga tërmeti, në procesin e dizenjimit dhe përkthimit të politikave që synojnë në ndërmarrjen e veprime të duhura lokale për të siguruar që burrat, gratë, vajzat dhe djemtë që jetojnë në varfëri, ose situata të cënueshme, që ndërthuren me kushtet pas tërmetit, të kenë akses në shërbime sociale të integruara dhe cilësore.