Receta Unike e Bakllavasë me Çokollatë

23

Bakllavaja është një ëmbëlsirë shumë e njohur dhe ka mënyra të ndryshme për ta përgatitur atë.

Por AgroWeb.org këtë herë ka menduar t’ju njohë me një recetë që sjell një shije të ndryshme nga çfarë jeni mësuar zakonisht. Ajo është receta e bakllavasë me çokollatë!

Ndiqni hapat e mëposhtëm dhe shijojeni me të dashurit tuaj sa herë që nepsi ju kërkon diçka plot sherbet dhe shije unike.

Përbërësit

Për petët:

  • 3 vezë
  • 3 lugë kos ose 8 lugë gjelle qumësht
  • 3 lugë vaj misri ose luledielli
  • 1 lugë gjelle uthull
  • Miell
  • 3 lugë gjelle pluhur kakaoje

Shënim: Alternativa më e lehtë është përdorimi i petëve të gatshme, nëse vendosni t’i përdorni ato kalojeni këtë pjesë.

Mbushja:

  • 1 filxhan me fëstëk ose arra të grira
  • 1 filxhan me copa çokollate
  • 1 filxhan niseshte misri
  • 1 filxhan kakao pluhur
  • 0,5 kg gjalpë

Shërbeti:

  • 4 gota ujë
  • 4 gota sheqer
  • 1/2 limon

Përgatitja:

Bashkoni në një enë ose në mikser të gjithë përbërësit përveç miellit dhe përpunojini ato.

Ndërkohë që e përzieni këtë masë shtoni mjaftueshëm miell derisa të përftoni një brumë të trashë.

Mbulojeni me një peshqir dhe lëreni brumin të pushojë për 30 minuta.

Pas kësaj kohe ndani brumin në 15 pjesë të barabarta.

Vazhdoni duke hapur petat pak më të mëdha se madhësia e tavës.

Ndërkohë vendosni gjalpin në një tigan dhe lëreni të shkrijë në temperaturë të ulët.

Shtroni 6 gjashtë nga petët në një tavë të lyer me gjalpin e shkrirë dhe sigurohuni të lyeni me gjalpë të dyja anët e petëve.

Spërkateni me fistëkë ose arra, me çokollatë, niseshte e me kakao dhe vazhdoni njëjtë edhe me pesë petët e tjera.

Spërkasni edhe pjesën e mbetur nga përbërësit e mbushjes dhe përfundoni me petët e mbetura.

Mos harroni t’i lyeni petët me gjalpë!

Me një thikë të mprehtë, ndani bakllavanë tuaj dhe pjesën e mbetur të gjalpit shtojeni në fund.

Ngrohni paraprakisht furrën në 150 gradë dhe piqeni bakllavanë derisa të skuqet mirë.

Ndërkohë që ajo piqet, përgatisni shërbetin.

Filloni duke përzier të gjithë përbërësit dhe lërini të ziejnë për 15 minuta në zjarr të ulët.

Pasi të nxirrni bakllavanë nga furra hidhni të gjithë shurupin mbi të. Në fund spërkateni me çokollatë.

/agroweb.org