Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim, në Sallën e Hartave në Kryeministri, me drejtues të universiteteve, Akademisë së Shkencave, të institucioneve të kërkimit shkencor, akademikë e pedagogë, në kuadër të një procesi konsultimesh, që i paraprin reformës në sistemin e kërkimit shkencor. Takimi zhvillohet pas procesit të auditimit dhe vjeljes së opinioneve që secili prej këtyre institucioneve ka kryer për të identifikuar problematikat dhe propozuar zgjidhje, me qëllim përmirësimin e funksionimit sa më efikas të tyre.
Kryeministri Rama vlerësoi rëndësinë e procesit të konsultimit, si një pararendës i domosdoshëm i hapave të mëtejshëm për reformën në kërkimin shkencor. Kryeministri i njohu akademikët me një klasifikim të përgjithshëm të opinioneve dhe propozimeve të marra.
“Propozohen ndryshime përgjithësisht rrënjësore, ose dhe të pjesshme të kuadrit ligjor dhe nënligjor të Akademisë. Është pozitive, në këndvështrimin tonë, që shprehet një nevojë për një rishikim të vizionit dhe misionit të Akademisë. Konkluzionet janë që në gjendjen aktuale, nga gjithë këto kontribute nuk kemi një analizë shteruese të shkaqeve të performancës së pamjaftueshme. Ka një tendencë që është e përgjithshme për çështjen e financimit, për të kuptuar se kush janë burimet përtej burimit buxhet shteti, që mund t’i japin Akademisë më shumë frymëmarrje financiare.”
Duke i falënderuar për zhvillimin e kësaj faze të procesit, Kryeministri parashtroi hapat e mëtejshme, që është ngritja e tre grupeve të punës, si dhe një pyetësori të hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, të gjitha këto për t’u kompletuar brenda 10 ditëshit të parë të muajit qershor.
“Ne kemi një traditë, kemi disa piketa, por të operojmë me shumë vendosmëri për ta ndryshuar të gjithë sistemin, të sigurojmë që Akademia dhe njerëzit e botës akademike, të shkencës të ndjehen më mirë, të kenë një qytetari tjetër dhe sistemi të fillojë të prodhojë. Ftesa ime është ajo e herës së parë; Të çojmë përpara këtë proces, pa humbur kohë. Së bashku, pranë MAS të ngremë një grup pune për miratimin e strategjisë së kërkimit shkencor. E dyta, të ngremë një grup pune për ligjin e ri për shkencën. E një grup të tretë, për të pasur një qasje të përbashkët për reformën në sistemin e institucionit të shkencës, pra, akademia, institutet, qendra dhe agjencitë e kërkimit shkencor. Të gjithë raportin ku do përfshihen të gjithë opinionet, ne do t’ia dërgojmë secilit prej jush. E gjithë kjo, me një afat kohor deri në 10 ditëshin e parë të qershorit.”
Burimi i informacionit: KM