Rehabilitohet qendra shëndetësore në Ndroq

14

Rreth 10 mijë banorët e Ndroqit, në periferi të Tiranës e marrin shërbimin në kushte dhe standarde bashkëkohore, me rehabilitimin e plotë të qendrës shëndetësore, pjesë e programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, program i cili, si asnjëherë më parë riktheu vëmendjen te forcimi i kujdesit parësor.

Zona e Ndroqit dhe rrethinave mbulohet me një rrjet prej 10 pikash ambulance me 23 mjekë dhe infermierë.

Qendra shëndetësore e Ndroqit është qendra e 40 e kujdesit shëndetësor parësor që rehabilitohet në këto dy vite në qarkun e Tiranës.

Janë 180 qendra shëndetësore dhe ambulanca që u rehabilituan falë programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në këto dy vite dhe 120 qendra të tjera shëndetësore dhe ambulanca, do t’i nënshtrohen rehabilitimit në vitin 2020. Pak ditë më parë u punësuan në sistemin shëndetësor publik 79 mjekë të rinj, të cilët i shtohen stafeve mjekësore të qendrave shëndetësore dhe spitaleve në të gjithë vendin. Punësimi i tyre u krye me transparencë dhe meritokraci përmes portalit “Mjekë për Shqipërinë”. Në bazë të pikëve të grumbulluara, gjithsecili përzgjodhi vendin e punës në qendra shëndetësore dhe spitale.

Vetëm për muajin Janar dhe Shkurt janë më shumë se 140 mjekë të punësuar në spitale dhe qendra shëndetësore, duke përfshirë edhe mjekët specialistë që janë emëruar sipas kontratës me MSHMS në spitalet rajonale, aty ku ishin nevojat për mjekë.