Rikthimi në punë pas festave/ Si të shpëtoni nga “qetësia” e pushimeve!

30

Si po ju duket rikthimi në punë? Diku rreth javës së tretë të dhjetorit, për të mos thënë më herët, puna fillon dhe ngadalësohet. Vëmendja e të gjithëve është e përqendruar te festat. Energjia dhe motivimi zbehen pasi të gjithë mendojnë për fundvitin dhe të gjithë “qejfin” që i pret. Ditët fluturojnë dhe ja ku jemi; ka ardhur momenti për t’ju rikthyer normalitetit. Nëse ndiheni sikur po ju tërheqin zvarrë apo të pamotivuar, më besoni, nuk jeni të vetmit! Kjo dukuri ndodh rëndom pas një periudhë “parazitizmi”. Ja disa mënyra për të shpëtuar nga kjo gjendje:

Lini pas 2019

Gjatë ditëve të para të një viti të ri është normale të mendosh për të kaluarën, për ecurinë e 12 muajve që sapo ikën  dhe ndoshta ta marrësh me vete këtë barrë edhe në 2020. Sa më shumë të “thellohesh” aq më i lartë është probabiliteti që ta ndjesh këtë rëndesë. Në fakt, të shohësh në retrospektivë është diçka pozitive, por shpesh sukseset padyshim shoqërohen edhe me një reflektim mbi dështimet. Në momentin që I rikthehesh “zyrës”, mendimi për dështimet e vitit të lënë pas, është konsumues dhe të bllokon edhe energjitë e reja për 2020. Kur të ktheheni në punë, shikoni përpara dhe merreni punën si një fillim i ri. Hidhini pas krahëve të gjitha gjërat që nuk shkuan siç ju do të kishit dëshiruar dhe fokusoni disa objektiva, pas së cilave të kapeni fort.

Bëhuni specifik

Ana pozitive e reflektimeve mbi ecurinë e vitit të lënë pas shërben edhe për ta nisur vitin e ri me një “listë të bardhë”. Kjo është gjë e mirë, por jo në rast se angazhimet që dëshironi të ndërmerrni janë abstrakte, të natyrës, “si të jem më produktiv”, “një njeri më i mirë”, etj. Në fakt, këto qëllime abstrakte mund të jenë totalisht paralizuese. Përpiquni të caktoni detyra specifike për veten tuaj dhe jo qëllime “në ajër”. Specifikimet kanë disa përfitime. Së pari, ju bën të thelloheni për të kuptuar atë që dëshironi vërtet. Gjatë këtij “thellimi” mund të zbuloni se nuk i dini të gjithë hapat që duhet të ndiqni dhe do t’ju duhet të përcaktoni më saktë planin tuaj. Së dyti, të qenurit specifik ju bën të keni një axhende të mirëmenduar dhe ta shfrytëzoni kohën në mënyrë më efiçente, pasi e dini mirë se çfarë duhet të bëni kur.

Mos u krahasoni!

Krahasimet sociale me të tjerët janë vrastare! Seriozisht! Standardi më të cilin ne vlerësojmë suksesin tonë nuk duhet të jetë në shkallë matëse me ato që të tjerët kanë, por vetëm me atë që shohim përpara pasqyrës, atë që ishim dje, atë që jemi sot dhe atë që duam të bëhemi nesër. Ka dy lloje krahasimesh sociale; me ato që janë më mirë, çka sjell demoralizim dhe një lloj krahasimi me ato që janë më dobët, çka ju dembelos pasi ju bën të mendoni se e keni dhënë maksimumin tuaj.

Sigurohuni që të mos tregoheni të ashpër me veten për vitin e kaluar, të caktoni objektiva tejet specifike dhe t’i ndiqni çdo ditë, për të mos i lënë hapësira vetes për të rënë në pesimizëm dhe sigurisht, boll u krahasuar me të tjerët, pasi është forma tipike e vetëshkatërrimit. Këto 3 pika janë pak, por e sigurt që do ju garantojnë një rikthim energjik në punë dhe kudo!