Risia/ Patentat, qytetarët do të njoftohen me telefon ose email kur të jenë gati

128

Qytetarët që pajisen për herë të parë me një leje drejtimi apo që bëjnë rinovim të asaj ekzistuese do të mund të njoftohen përmes telefonit ose email-it kur dokumenti të jetë gati.

Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor njoftoi së fundmi se, në funksion të uljes së burokracive dhe lehtësimit të procedurave,është ndërmarrë pikërisht ky hap, por kjo do të funksionojë vetëm për ata që në mënyrë vullnetare deklarojnë numrin e telefonit apo email-in pranë zyrave rajonale të kësaj drejtorie.

“Tashmë njoftimi për prodhimin e leje drejtimit tuaj nëpërmjet telefonit ose postës elektronike!

DPSHTRR njofton të gjithë qytetarët të cilët aplikojnë për pajisje për herë të parë me leje drejtimi apo rinovim të saj pranë sporteleve të Drejtorive Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, nëse dëshirojnë me vullnetin e tyre të lirë, të depozitojnë numrin e telefonit apo adresën elektronike.

Kjo do të na ndihmojë për t’ju njoftuar në kohën më të shpejtë të mundshme për prodhimin e leje drejtimit tuaj” thuhet në njoftimin e DPSHTRR.

Referuar kuadrit ligjor, pajisja me leje drejtimi për herë të parë bëhet pas kalimit të testit teorik dhe praktik. Një leje drejtimi ka afat të ndryshëm ku ato më tipiket AM, A1, A2, A, B1, B, BE për moshën deri në 50 vjeç kanë afat 10-vjeçar.

Rinovimi i një leje drejtimi, nga ana tjetër, kërkon që drejtuesi i mjetit të aplikojë për rinovimin në Drejtorinë Rajonale ku ka vendbanimin, para përfundimit të afatit të vlefshmërisë së saj. Nëpunësi i pranimit kontrollon në sistem nëse leje drejtimi është e vlefshme apo, e pezulluar, bllokuar, etj., me vendim të organeve kompetente.

Për rinovimin e leje drejtimit, aplikanti plotëson kërkesën për kryerje shërbimi dhe dorëzon: dokument identifikimi, certifikatë mjekësore me fotografi, me datë jo më të hershme se 6 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës për aplikim, leje drejtimin, bën pagesën e tarifës së shërbimit për leje drejtimi prej 3500 lekë, fotografohet, bën nënshkrimin elektronik dhe konfirmon personin që do të tërheqë leje drejtimin, kur konfirmon se leje drejtimin e tij do ta tërheqë një person tjetër që dorëzon fotokopjen e kartës së identitetit të këtij personi.