Rregullorja për sigurimet, ja si do bëhet dëmshpërblimi nga kompanitë

64

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka ndryshuar rregulloren “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” duke saktësuar mes të tjerave disa elementë që nisin nga koha që duhet të bëhet dëmshpërblimi, tek procedura e njoftimit të klientit si dhe përcaktimi i shkallës së humbjes së aftësisë së përhershme në punë.

Konkretisht ndryshimi i parë është bërë në nenin tre të rregullores ku janë shtuar dy pika të reja tek paraqitja e kërkesës për dëmshpërblim. “Për qëllim të këtij neni, data e marrjes së kërkesës për dëmshpërblim quhet data e depozitimit të kërkesës së bashku me dokumentacionin e plotë shoqërues. Në rastet kur kërkesa e paraqitur nuk është e plotë, shoqëria e sigurimit i drejtohet paraqitësit të kërkesës me shkrim brenda 8 ditëve pas pranimit të kërkesës dhe kërkon plotësimin e dokumentacionit” thuhet në shtesën që i është bërë rregullores.

Në nenin gjashtë është bërë një tjetër ndryshim që lidhet me afatet e trajtimit të kërkesës për dëmshpërblim. Kështu sipas rregullores për dëme materiale, ku shkalla e dëmtimit është e vogël, dhe vlerësohet deri në 100,000 lekë, sipas parashikimeve të germës a) të nenit 25 të kësaj rregulloreje, afati i trajtimit të kërkesës për dëmshpërblim të jetë brenda 14 ditëve nga data e marrjes së kërkesës për dëmshpërblim.

Nga AMF është miratuar një shtesë e këtij paragrafi që parashikon se në rast pranimi të kërkesës, shoqëria e sigurimit duhet të njoftojë palën e dëmtuar për masën e dëmshpërblimit të vlerësuar prej sa. “Në rast refuzimi të kërkesës, shoqëria e sigurimit duhet të njoftojë me shkrim palën e dëmtuar për refuzimin dhe shkaqet ligjore, që çojnë në këtë refuzim. Shoqëria e sigurimit do të kryejë pagesën e dëmshpërblimit brenda 14 ditëve pas përfundimit të afatit të trajtimit të dëmit dhe nënshkrimit të deklaratës së pranimit të dëmshpërblimit” thuhet në ndryshimet e bëra në rregullore.

Përpos të tjerave janë shtuar edhe mënyrat sesi kompania njofton palën kërkuese ku përveç letrës rekomande përfshihet edhe email në adresën elektronike apo mesazh në momentin që kërkuesi i ka dhënë këto detaje në dokumentin paraqitur pranë kompanisë.