“Rreqebulli, kaprolli, macja e egër…”/ Kamerat kurth fotografojnë kafshë fantastike në Malin e Munellës

74

Përpjekja e Protection and Preservation of Natural Environment in Albania për të përcaktuar numrin minimal të popullatës së rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri është duke vazhduar, megjithatë rezultatet e para të këtij procesi kanë mbërritur. Kamerat kurth që u vendosën gjatë muajit Shkurt dhe Mars, pas një harku kohor monitorimi prej 60 ditësh, grumbulluan një sërë fotografish të kësaj mace të fshehtë të pyjeve të Shqipërisë.

Nga 49 kamera kurth të shpërndara në Malin e Munellës dhe në rajonin Polis-Gur i Zi-Valamarë, deri më tani janë identifikuar vetëm 2 individë të rrëqebullit të Ballkanit. Megjithatë, ne shpresojmë se gjatë kontrollit të ardhshëm do të surprizohemi edhe nga të tjerë individë. Në kuadër të Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit #BLRP, i njëjti studim është duke u realizuar paralelisht në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, duke synuar identifikimin e numrit minimal të popullatës së rrëqebullit të Ballkanit në nivel rajoni.