FOTOT/ Puka, një qytet si asnjë tjetër

25

Lulet shumëngjyrëshe i kanë dhënë një pamje plot gjallëri shëtitores dhe parkut të liqenit të qytetit të Pukës.

E njohur si një prej qyteteve më të pastra dhe me gjelbërim masiv Puka vitet e fundit ka shtuar ndjeshëm numrin e mbjelljeve duke e zgjeruar hartën e zonave të gjelbëruara edhe jashtë rrugës kryesore të qytetit.

Punonjësit e shërbimeve komunitare kanë startuar sezonin e mbjelljes së luleve dekorative në shëtitoren dhe parkun e liqenit të qytetit, i cili tashmë është dhe nën monitorim e kamerave.

Banorët e Pukës dhe vizitorët tashmë kanë mundësi më shumë për të pushuar në ajrin e freskët që të ofron qyteti.

Qyteti i Pukës shtrihet në qendër të Shqipërisë Veriore, në një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, mbulesa të dendura pyjore, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë.

Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë, mjaft të përshtatshme për shëtitje, ski, alpinizëm, gjueti sportive (të peshkut, shpendëve dhe kafshëve të egra) dhe për veprimtari të tjera rekreative, çlodhëse e argëtuese.