Rriten me 65% eksportet shqiptare drejt SHBA-së, kryesojnë bimët mjekësore

16

Eksportet shqiptare drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës u rritën me 65% gjatë 11 muajve të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Referuar statistikave të publikuara nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës llogariten gjatë periudhës janar-nëntor gati 4.4 miliardë lekë nga 2.9 milionë lekë që ishin në 2020-ën.

Ndërkohë, rritje të ndjeshme kanë pasur edhe importet nga SHBA. Sipas të dhënave importet arritën në 13.8 miliardë lekë gjatë 11-mujorit të parë të këtij viti, nga 8.2 miliardë lekë që ishin në 2020-ën.

Shqipëria eksporton drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës një gamë të gjerë produktesh, kryesisht produkte ushqimore, bimë mjekësore dhe metale.

Madje, Shqipëria konsiderohet një tregtues i rëndësishëm i bimëve mjekësore në tregun amerikan. Rritja e eksporteve është favorizuar edhe nga heqja e taksës doganore. Që prej vitit 2012, Shqipëria ka hyrë në listën e 128 vendeve që mund të përfitojnë nga një sistem preferencial që eliminon taksën doganore për një listë të gjatë produktesh.

Në fillim të muajit tetor të vitit 2020 u nënshkrua në Tiranë memorandumi për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, i cili pritet të ndikojë ndjeshëm në hapjen e një kapitulli të ri për investimet e drejtpërdrejta jo vetëm amerikane, por në tërësi të huaja në Shqipëri.