Rritet interesi i turistëve të huaj për Muzeun Historik Kombëtar (Shifrat)

34

Muzeu Historik Kombëtar për vitin 2022 ka patur një numër të shtuar të vizitorëve dhe kryesisht atyre të huaj.

Numri i vizitorëve për periudhën janar-qershor 2022 ishte 16268, nga këta 2669 vizitorë vendas dhe 8766 vizitorë të huaj. Në qershor 2022 numri i vizitorëve gjithsej ishte 6034 nga këta 728 vizitorë vendas dhe 4012 vizitorë të huaj.

Studentë, vizitorë të huaj dhe vendas janë të interesuar për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, shpjeguar kjo nëpërmjet artefakteve dhe objekteve të ekspozuara në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar.

Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeal më i madh në Shqipëri. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu ekspozon pasuritë e tij nëpërmjet tetë pavijoneve. Pavijoni i Lashtësisë është nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar, me afro 400 objekte të ndryshme.

Objektet e paraqitura nisin me Paleolitin e Vonë, ku kultura prehistorike dëshmohet e gjallë dhe e fuqishme në trojet tona. Në stendat e muzeut gjenden objekte që i përkasin epokës së Bronzit (2100-1200 para Krishtit) si dhe objekte të epokës së Hekurit (1200-450 para Krishtit), periudha këto që përvijojnë tiparet e ilirëve.