Rritet numri i të punësuarve të deklaruar në listëpagesa

4

Numri i të punësuarve shënoi rritje pas aksionit të qeverisë për të ulur informalitetin.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se ndërsa është shënuar rritje e të punësuarve në listëpagesa, është ulur edhe numri i të punësuarve me pagë minimale.

“Numri i punonjësve të deklaruar në shtator të vitit 2022 është rritur me 17 990 punonjës, krahasuar me shtatorin e 2021-shit. Ndërsa numri i punonjësve të deklaruar me pagë minimale është ulur me 46 071 punonjës për të njëjtën periudhë”, bën të ditur DPT-ja.

Sipas të dhënave të DPT-së, paga mesatare e deklaruar në shtator 2022 është 50 116 lekë ose 5469 lekë më shumë se në shtator 2021.

Po ashtu, Tatimet bënë të ditur se janë 11% më shumë kontribute për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në arkën e shtetit.

“1.35 miliardë lekë në muaj është efekti në mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe tatimit mbi pagën, si pasojë e miradministrimit fiskal. Nga ana tjetër numri i tatimpaguesve që deklaruan listëpagesa përkundrejt subjekteve është rritur me 0.5 %, nga 95.8 % në 96.3 %, krahasuar me shtator 2021”, informoi DPT.

Administrata Tatimore thotë se do të vijojë zbatimin e Planit Antiinformalitet për të mbrojtur çdo të punësuar në Republikën e Shqipërisë, me qëllim pagesën e kontributeve të sigurimeve nga punëdhënësi, për pension të sigurt në të ardhmen.

/ata.gov.al