Pas pak ditësh vihet në funksion Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme

0

Në Kongresin e Parë të Shëndetësisë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj ka bërë me dije risitë për zhvillimet në infrastrukturë dhe shërbime të reja.

Edhe pak ditë dhe hapen dyert e Spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme, një strukturë tejet moderne ku qytetarët do të marrin shërbim supercilësor.

Së shpejti do të sigurohen procedura të reja në strukturat publike si fertilizimi in vitro, transplanti i palcës së kockës dhe trajtimet për insultet cerebrale.

“Investimet në teknologji e pajisje dhe edukimi në vazhdim të profesionistëve që sapo kemi nisur do të sigurojnë edhe shërbime të reja në strukturat publike, si Qendra e Fertilizimit in vitro, Transplanti i Palcës së Kockës dhe trajtimet për Insultet Cerebrale, puna për të cilat ka filluar tashmë”, tha Manastirliu.

Kongresi i Parë i Shëndetësisë në Tiranë ka bërë bashkë politikëbërës, ekspertë shëndetësorë, profesionistë të kujdesit shëndetësor, përdoruesit e shërbimeve dhe aktorë të tjerë në një forum të përbashkët për të ndarë përvojat dhe për t’u angazhuar në dialog në lidhje me sfidat e sistemit shëndetësor.

Me pjesëmarrje të gjerë me mbi 2000 të ftuar, përfshirë ministra të Shëndetësisë së Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, ministra e deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ekspertë të shëndetësisë nga disa vende të botës, ambasadorë, përfaqësues të organizmave kombëtare e ndërkombëtare, mjekë, infermierë e profesionistë të sistemit shëndetësor.

/ata.gov.al