Rritje historike e eksportit të kastravecit “Made in Albania” drejt BE dhe botës

34

Tregjet e huaja po shtojnë kërkesat për prodhimet bujqësore “Made in Albania”, ku dominojnë domatja dhe kastraveci, krahas produkteve të tjera.

Pavarësisht pandemisë së COVID-19 eksportet e produkteve bujqësore shqiptare dhe sidomos fruta-perimeve vijojnë të kenë rritje dyshifrore.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, raporton se këtë 7-mujor eksporti i kastravecit ka patur një rritje në vlerë prej 33,6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Eksporti i kastravecit llogaritet gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti 1,368 milionë lekë nga 1,029 milionë lekë që ishte për të njëjtën periudhë të 2020-ës”.

Eksportet bujqësore, në total janë rritur nga rreth 100 milionë dollarë në fund të vitit 2014 në 400 milionë dollarë në fund të vitit 2020, ndërsa parashikohet të shkojnë në mbi 1 miliard në katër vitet e ardhshme.