Rrjetat antibreshër, si fermerët po i mbrojnë prodhimet e tyre pavarësisht kushteve klimatike

26

Fermerët me mbështetjen edhe nga skema kombëtare, po shtojnë investimet në mbrojtjen e prodhimit bujqësor nga risku klimaterik.

Ekspertë të Ministrisë të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural shprehen se, breshëri dhe shirat e dendur që përfshijnë vendin tonë herë pas here, kohët e fundit, kanë sjellë dëme të konsiderueshme tek të mbjellat në disa qarqe të vendit.

Një nga zgjidhjet më efikase, për të menaxhuar riskun klimaterik dhe dëmet që vijnë si rrjedhojë e ndryshimeve të shpeshta e të paparashikuara të klimës, sipas ekspertëve është vendosja e rrjetave antibreshër për të mbrojtur prodhimin.

Sot përdorimi i rrjetave antibreshër lejon fermerët që të mbajnë një furnizim të vazhdueshëm në treg duke ulur rrezikun e humbjes së prodhimit, siguron rritjen e cilësisë, minimizimin e demit, uljen e shpenzimeve agroteknike, etj.

Sipas të dhënave nga Drejtoritë e Bujqësisë, në qarkun e Korçës dhe të Dibrës, mbi 40% e fermerëve kanë investuar krahas zgjerimit të pemëtoreve edhe në rrjetat antibreshër, për menaxhimin e riskut klimaterik në bujqësi.