Së shpejti nis restaurimi i godinës qendrore të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”

5

Në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në kryeqytet pas përmbylljes së fazës së parë të ndërtimit do të nisë restaurimi i godinës qendrore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi punimet që po kryhen për rikonstruksionin dhe zgjerimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.

“Përmbyllja e fazës së parë të ndërtimit të ri në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” do t‘i hapë rrugë investimit në godinën qendrore, e cila do të restaurohet duke ruajtur arkitekturën historike, për të garantuar standardin më të mirë të shërbimit për nënat dhe fëmijët”, tha Manastirliu.

Projekti për rikonstruksionin dhe zgjerimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” përfshin tre plane: ndërtimi i ri me 3 kate dhe një kat nëntokësor; rikonstruksioni i plotë i godinës historike, që do të ruajë detajet e arkitekturës unike në fasadën e saj, por dhe në hapësirat e brendshme të kësaj godine, si dhe zgjerimi i objektit ekzistues të Obstetrikës.

Do të jetë një kantier i madh prej mbi 6 mijë metrash katrorë, ku pjesën kryesore e zë godina e re, që përfshin shërbimet e laboratorit, imazherisë, urgjencës, Qendrën e Gruas si dhe dy shërbimet e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë.

ata.gov.al