Shembull pozitiv, një kryebashkiak i përgjysmon rrogën vetes

266

Një kryebashkiak vendos t’i ulë vetes rrogën me t’u vendosur në detyrë.

Shuhret Fazliç, kryetari i sapozgjedhur i Bihaçit në Bosnjë-Hercegovinë, thuajse e ka përgjysmuar pagën e tij, nga rreth 4.500 në rreth 2.500 KM, që është monedha vendase, konvertibilna marka, apo ndryshe, markë e konvertueshme. Kjo është bërë e njohur në mbledhjen e Këshillit të Qytetit.

Kryebashkiaku Fazliç është shprehur se, “i vjen turp që të ketë një rrogë kaq të lartë në një kohë kur një numër i madh qytetarësh jetojnë në kushte kaq të vështira”, shkruan Boom.

“Që kur mora detyrën si kryebashkiaku i Bihaçit, jam ballafaquar me shumë kërkesa të bashkëqytetarëve të mi, të cilët nuk kanë mjete as për nevoja themelore. Kështu që kam vendosur që me shembullin tim të kontribuoj në kursime,” është arsyetimi i kryebashkiakut për uljen e pagës së tij.

“Mua personalisht më vjen turp të marr të ardhura kaq të mëdha në kohën e sotme. Dhe ky është mesazhi im: që të gjithë duhet të ndryshojmë qëndrimin tonë ndaj fondeve publike dhe të shpenzojmë në mënyrë modeste dhe aq sa kemi. Kjo është mënyra e vetme për të jetuar më mirë në qytetin tonë,” ka deklaruar zyrtari vendor model i Bihaçit në Bosnjë.