Shifra rekord, Shqipëria prodhon 144 milionë euro domate në vit

19

Pavarësisht se ka një sipërfaqe të vogël, Shqipëria është një prodhuese e rëndësishme i domates në shkallë botërore.

Programi Botëror i Ushqimit në Kombet e Bashkuara (FAO), përllogariti se, vlera vjetore e prodhimit të domates në Shqipëri ishte 144 milionë euro në vitin pandemik 2020. Në rreth 135 vende që janë më popullore në kultivimin e domates Shqipëria zuri vendin 52-të në botë.

Sipërfaqja e kultivuar me domate sidomos në serra është rritur dukshëm në dekadën e fundit, kryesisht e nxitur nga kërkesa për eksport.

Fermerët që kultivojnë domate në serra arrijnë të mbjellin dhe të prodhojnë dy herë brenda një viti kalendarik, teksa problemet me certifikimin dhe cilësinë i pengojnë të eksportojnë në vende ku çmimet janë të larta.

Analiza më të thelluara diktojnë se Shqipëria ka ende potencial të pashfrytëzuar për prodhimin e domates si nga rritja e sipërfaqeve ashtu edhe nga zgjerimi i eksporteve.

Edhe Banka Botërore ka evidentuar se, më të njëjtën sasi dhe lloj domatesh fermerët shqiptarë do të trefishonin fitimet nëse do të zhvendosnin eksportet nga rajoni drejt tregjet të zhvilluara si Gjermania, Franca, Zvicra, Austria, SHBA etj.

Sipas certifikimeve ndërkombëtare të specializuara ku evidentohet Global GAP, cilësia e domates mesatare është vlerësuar me konkurrueshmëri mbi mesataren dhe është një nga prodhimet më të denja për të gjetur tregje të reja eksporti në vendet e zhvilluara.

Përveç domates, Shqipëria ka potencial për të rritur eksportet në nënsektorët që përfshijnë lëkurën e gjedhit dhe të kalit, perimet, produktet e peshkut, arrat dhe frutat, domatet e freskëta, açuge dhe peshq të tjerë të konservuar, gështenjat, shalqinjtë dhe ullinjtë të konservuar.