Të ardhurat që emigrantët kanë sjellë tek të afërmit e tyre në 9 muajt e këtij viti arritën në 501 milionë euro, sipas statistikave të fundit të Bankës së Shqipërisë.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, është shënuar një rritje prej 7.9%.
Në tremujorin e tretë të vitit, që përkon me periudhën sezonale kur emigrantët kthehen në shtëpitë e tyre për pushime, ata sollën në vend rreth 170 milionë euro, me një 2.3 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhëna të tjera të Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se në të njëjtën periudhë u konstatua dhe një rritje e ndjeshme e depozitave në valutë, teksa një pjesë e kursimeve janë depozituar në bankat në Shqipëri. Në dy muajt gusht-shtator, stoku i kursimeve në valutë, ku mbizotëron euro, u rrit me 17 miliardë lekë, ose rreth 134 milionë euro.
Remitancat kanë qenë një burim i rëndësishëm i hyrjes së valutës që pas viteve ‘90, duke financuar kryesisht konsumin e familjeve të varfra, pas 2008-s ato hynë në një cikël rënës, duke reflektuar dobësimin e lidhjeve me familjet në Shqipëri, që normalisht fillon e ndodh pas një periudhë 10-15-vjeçare (emigrantët krijojnë familjet e tyre dhe dërgojnë më pak para tek të afërmit në Shqipëri). Kriza e shteteve fqinjë, sidomos në Greqi, ishte një tjetër faktor që ndikoi në këtë tendencë.
Pasi arritën nivelin e tyre më të ulët në 2013-n, prurjet e emigrantëve janë rigjallëruar sërish vitet e fundit, duke reflektuar rikthimin e ciklit të emigracionit. Në vitin 2015 u shënua një rekord i kërkesave për azil në BE, me mbi 66 mijë persona, për t’u përgjysmuar më pas në vitet në vijim. Në total, nga 2013-2017 ka pasur mbi 140 mijë aplikime për azilant në vendet e BE-së, sipas të dhënave që janë bërë publike nga Eurostat.
Një pjesë e madhe e tyre arritën të qëndronin, duke filluar gradualisht punë dhe duke dërguar para në shtëpi. Vlerësohet se ata duan një periudhë rreth 2-vjeçare për t’u integruar dhe për të filluar një punë dhe më pas fillojnë e ndihmojnë të afërmit.