SHIFRAT/ Ja vendet Evropiane ku ka më shumë studentë shqiptarë

110

Universitetet europiane janë të njohura për traditën e tyre në mësim dhënie. Në renditjet ndërkombëtare ato renditen në të shumtën e rasteve në krye të klasifikimit për sa i përket cilësisë së edukimit dhe kërkimit shkencor. Studentët shqiptarë që kanë zgjedhur të studiojnë në universitetet në vendet e BE-së dhe kandidatet për t’u anëtarësuar në 2016-n janë afërsisht 15500 sipas Eurostat (në këtë shifër nuk janë përfshirë Gjermania dhe Holanda).

Italia ka numrin më të madh të studentëve shqiptarë, ku në 2016-n sipas të dhënave të Eurostat studionin rreth 10,724 studentë shqiptare në universitetet italiane. Në krahasim me një vit më parë numri i tyre ka rënë me rreth 724 studentë.

Në vend të dytë për numrin më të lartë të studentëve shqiptarë qëndron Greqia, ku numri i studentëve shqiptarë të regjistruar në universitetet greke është 1633 sipas Eurostat. Në vend të tretë është Turqia me 886 studentë. Numri i studentëve shqiptarë që kanë zgjedhur të studiojnë në universitetet turke ka ardhur në rritje në tre vitet e fundit. Një vit më para ishin te regjistruar rreth 775 studentë, ndërsa në 2014 ishin 644 studentë.

Edhe studentët shqiptarë në Gjermani janë në një numër të konsiderueshëm krahasuar me totalin e studentëve që kanë zgjedhur të studiojnë në një fakultet jashtë Shqipërisë. UNESCO ka raportuar se në Gjermani studionin në 2015-n rreth 559 studentë. Ndërsa në Francë numri i studentëve shqiptarë në 2016-n 481, rreth 10 studentë më pak.

Numri i studentëve shqiptarë në Austri ishte 324 studentë, apo rreth 39 studentë më shumë se një vit më parë. Në vendet Europës Lindore, në Bullgari dhe Rumani, Eurostat raporton se numri i studentëve shqiptarë që studiojnë në universitetet atje është 279 dhe 202 studentë. Numri i studentëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar, që ka disa prej universiteteve më të mira në botë, është 260.