Shkëlqimi turistik i Sarandës, vijon ende fluksi i vizitorëve

25

Saranda dhe Ksamili përjetuan këtë vit rikthimin e shkëlqimit të tyre turistik, i humbur ndër vite. Pavarësisht se ende nën ndikimin e pandemisë, vera 2021 shënoi një pikë kthese për këtë rajon dhe tur-operatorët gjykojnë se arsyet e rritjes së frekuentimit lidhen me ofertën e larmishme turistike, duke nisur nga pushimet me kosto të ulët te strukturat luksoze dhe private, shërbimi më cilësor, investimet në qytet dhe zgjerimi i industrisë detare. Pavarësisht se vera ka mbaruar dhe jemi në tetor, polakët, ukrainasit e grupe të tëra turistësh po vazhdojnë pushimet në skajin jugor të vendit 

Sezoni veror 2020 rezultoi i vështirë, mbi të gjitha për shkak të situatës së pandemisë. Për këtë arsye, operatorët rishikuan çmimet, ndërkohë që agjencitë e huaja kishin imponuar më herët përmirësimin e cilësisë së shërbimit. Të gjitha këto, të bashkuara me disa investime domethënëse në qytet, si pjesë e projekteve të financuara nga institucione ndërkombëtare financiare (Banka Botërore, projekti për turizmin) në sezonin veror 2021 arritën t’i rikthenin shkëlqimin qytetit të “40 Shenjtorëve”.

Operatorët turistikë raportuan për rritje domethënëse të frekuentimit, që arriti pikun nga 15 korriku deri në fund të gushtit, me një okupancë (rezervim) 100 për qind të strukturave në vijën e parë dhe të dytë të detit, ndërkohë që fluksi ishte në të njëjtat nivele edhe në vijën e tretë, edhe në atë të katërt me luhatje të lehta.

Por cilat janë arsyet që Saranda u rikthye në vëmendjen e turistëve. Tur-operatorët përmendin katër nga këto arsye.

-Së pari, sipas tyre, ka një numër të konsiderueshëm strukturash akomoduese që janë maturuar edhe në eksperiencë, duke rritur cilësinë e shërbimit.

-Së dyti, në qytet janë bërë investime të rëndësishme si shkallaret, bulevardi, ndriçimi, sinjalistika, që i kanë dhënë tjetër pamje.

-Së treti, oferta turistike e Sarandës është zgjeruar, duke ofruar mundësi për të gjithë buxhetet nga pushimet “me kosto të ulët” tek përvojat “më luksoze dhe private”.

-Së katërti, oferta është zgjeruar edhe sa i takon asaj çfarë mund të bësh në Sarandë gjatë pushimeve, duke gërshetuar, ndër të tjera, industrinë detare me ture të plazheve, ku aksesi mund të bëhet vetëm nga deti.

Pavarësisht se jemi në tetor, Saranda dhe Ksamili vazhdojnë të kenë rezervime nga turistë individualë që shfrytëzojnë motin e ngrohtë.

Kapacitetet në rritje

Kapacitetet akomoduese turistike të Sarandës vijnë dukshëm në rritje. Numërohen 836 struktura akomoduese të regjistruara ne Sarandë e Ksamil. Bashki regjistron në total 3200 biznese, nga të cilat 836 janë njësi akomoduese, hotele e hostele dhe shtëpi të dyta, ose 26% e totalit të subjekteve./Monitor