Shqipëria solidare/ Dogana heq tarifën e skanimit për mjetet që sjellin ndihma humanitare

46

Shqiptarët kudo anë e mbanë botës u solidarizuan me tragjedinë që goditi Shqipërinë pas tërmetit të së martës, që shkaktoi viktima dhe qindra të plagosur. Shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, diaspora, dhe jo vetëm, morën nisma të mëdha humanitare me ndihma në ushqime e veshmbathje e deri tek paratë.

Duke marrë shkas nga situata e krijuar, ku dhjetra kamionë e mjete të tjera të ngarkuar me ndihma për banorët e prekur, u futën në vendin tonë përmes kufirit, Dogana shqiptare ka marrë një vendim; heqjen e tarifës së skanimit për rastet e ndihmave humanitare.

Në njoftimin e Doganës bëhet e ditur se mjetet që transportojnë ndihma do të përjashtohen nga tarifa për një afat 30 ditor.

“Dogana heq tarifën e skanimit për mjetet që sjellin ndihma humanitare
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave që nga sot ka hequr tarifën e skanimit për çdo mjet që sjell ndihma humanitare për të prekurit nga tërmeti shkatërrues i 26 Nëntorit.
DPD në bashkëpunim me kompaninë S2 Albania, ka mundësuar nga sot në sistem mospagimin e kësaj tarife për këtë kategori mjetesh, që sjellin ndihma humanitare për një afat 30 ditor.
Kjo nismë u ndërmor në shenjë solidariteti me gjithë të prekurit nga termeti.
#Shqipëria solidare#”, thuhet në njoftimin e Doganës.