Shqiptarja bën gjestin e bukur, gatuan për mjekët dhe infermierët në Itali

187

Italia po kalon një situatë të vështirë, por gjestet e vogla të solidaritetit, nuk mungojnë mes njerëzve. Madje janë pikërisht këto gjeste që japin forcë për përballimin e kësaj situate.

Një operator sanitar shprehu simpatinë për një grua shqiptare, e cila u ofroi drekën mjekëve, infermierëve dhe operatorëve sanitarë, shkruhet në një gazetë të provincës së Piacenzës.

Gruaja me emrin Hatixhe Hallulli, ose siç e thërrasin Tixhe, është nënë e tre fëmijëve, dhuron gjithmonë, edhe gjatë vitit, torta dhe fokace për personelin e Ndihmës së Shpejtë së Fiorenzuolës të cilat i bën në shtëpi në furrën e saj.

”Sot personeli shëndetësor është i gjithë i fokusuar tek COVID-19 dhe po merret me personat e prekur, por Tixhja vazhdon t’u dërgojë ato që mundet duke mos dashur të identifikohet”, theksuan mjekët e spitalit duke e falënderuar publikisht.

“Na solli kuzhinën dhe shpresën e saj”, theksoi stafi i spitalit të Fiorenzuolës.