Si të aplikoni online në e-Albania për regjistrimin e fëmijës

92

Ministria e Brendshme njoftoi se qytetarët kanë mundësi të kryejnë aplikim për regjistrim fëmije online përmes portalit e-Albania.

“Aplikim për regjistrim fëmije” është një shërbim elektronik, i cili u mundëson shtetasve shqiptarë të dërgojnë online një kërkesë për regjistrim fëmije, për të dorëzuar më pas me postë ose personalisht, dokumentin e lindjes së fëmijës, bëri të ditur MB.

Pas verifikimeve të nevojshme të kryera nga përfaqësues të ambasadës/konsullatës, qytetarët njoftohen me anë të e-mail-it apo nëpërmjet numrit të telefonit për statusin e aplikimit.

Dokumentet që duhet të ngarkohen nga aplikanti janë akti i lindjes ose certifikata e lindjes së fëmijës, lëshuar nga autoritetet e huaja (i legalizuar ose pajisur me vulë apostile), dokumente identifikimi të prindërve (pasaportë ose kartë identiteti shqiptare), përkthimi i aktit ose certifikatës së lindjes, i legalizuar ose pajisur me vulë apostile (nëse nuk e legalizoni apo apostiloni përkthimin e certifikatës, kërkohet përkthimi në gjuhën shqipe të kryhet në konsullatë, ose nëse është kryer përkthimi nga përkthyes të licencuar, duhet që konsulli të lëshojë “vërtetim përkthimi”.

Tarifa e përkthimit apo vërtetimit të përkthimit është 10 euro për faqe dhe është detyrim i qytetarit aplikues, theksoi më tej MB.

MB shtoi se, duhet edhe pëlqimi me deklaratë noteriale të prindit të huaj (nëse njëri nga prindërit është shtetas i huaj), për lejimin e regjistrimit të fëmijës në Shqipëri.