Si të jeni kreativ në punë

273

 

4bf4d0_6a0e4dc386c84f09b2977c6be0535fc6

Dihet që kreativiteti nuk mësohet, por mund të stimulohet. Në të vërtetë, kreativiteti nuk të godet si një rrufe, por ashtu siç thotë Alfred Hitchcock “idetë vijnë nga çdo gjë”. Ekspertët rendisin disa hapa se si mund të jeni kreativë në punë…

1. Mbani një ditar
Mbani gjithnjë një ditar, një fletore apo një bllok shënimesh. Shpesh ndodh që të keni një ide të bukur dhe ajo ju shkon dëm, sepse harroni shpejt. Mbani shënim çdo ide, sapo ju vjen në mendje. Çfarëdo gjëje që ju vjen në mendje. Në këtë mënyrë, mund të lexoni në ditar dhe të zhvilloni më tej idenë.

2. Krijoni mjedisin e përshtatshëm
Ndonjëherë, qëndrimi për një kohë të gjatë brenda katër mureve (të shtëpisë apo zyrës) mund të jetë një pengesë e madhe për kreativitetin.
Mund të jetë e dobishme që të shtoni një element “shpërqendrimi”, si për shembull një pikturë, ndonjë vazo me lule ose edhe ndonjë lodër.

3. Vini çdo gjë në dyshim
A ka ndonjë mënyrë më të mirë për të zgjidhur problemin? Pyesni gjithnjë veten “pse” dhe “si” po e bën një gjë. Analizoni me mprehtësi dhe kthjelltësi çdo element të problemit. Mos kini frikë të guxoni. Në këtë ushtrim, një pyetje tjetër e nevojshme mund të jetë “çfarë mungon?”.

4. Kthejeni problemin në anën e kundërt
Doni diçka? Kërkoni të kundërtën e saj. Doni të arrini një rezultat? Përfytyroni nëse asnjë gjë nuk do të shkonte siç do të duhej. Përpiquni të imagjinoni se si mund të përkeqësohet një situatë. Në këtë mënyrë, mund të kuptoni se çfarë nuk duhet të bëni kurrsesi.

5. Kombinoni elemente pa lidhje me njëri-tjetrin
Ky është një ushtrim që mund ta bëni herë pas here. Shikoni dy sende në tavolinën tuaj të punës, që nuk kanë asnjë lidhje mes tyre (për shembull një orë dhe një shishe me ujë). Përpiquni që t’i kombinoni. Ky ushtrim nuk do të japë në rezultat të dobishëm dhe të menjëhershëm, por do të stërvisë mendjen tuaj për t’i parë gjërat nga perspektiva të ndryshme.

6. Zgjidhni një mik
Zgjidhni një mik me të cilin ndiheni komod të diskutoni çdo problem. Dikush i cili të mund t’ju japë një perspektivë tjetër për zgjidhjen e një problemi.

7. Lexoni diçka ndryshe
Sa herë e keni menduar se librat artistikë apo revistat rozë nuk bëjnë për ju? Ne ju këshillojmë që të lexoni edhe mbi tema rreth të cilave keni pak informacione. Bëni atë që urreni. Do të jesh më kreativ!

8. Dëgjoni “fëmijën” brenda jush
Te fëmijët nuk është ngulitur ende koncepti që për t’u përballur me një situatë duhet të jesh i sigurt dhe të ndihesh i mbrojtur. E keni vënë re që shpesh ata bëjnë veprime të guximshme pa pasur aspak frikë?

9. Çlodhni mendjen
Jepini nënndërgjegjes suaj mundësinë për të punuar në qetësi, duke “fikur” mendimin e ndërgjegjshëm herë pas here.
Mos u përqendroni gjithnjë dhe vetëm te zgjidhja e problemeve që ju shqetësojnë. Një mendje e lodhur nuk mund të gjenerojë kurrë ide të reja.

Burimi: Revista Monitor

Si të jeni kreativ në punë