Si u zgjodh Tirana kryeqytet? Si ka ndryshuar popullsia 100 vitet e fundit

163

Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë nga një vendim i Kongresit të Lushnjes, një nga evenimentet më të rëndësishme të historisë kombëtare për vendimet që mori, ndërkohë që qeveria e dalë nga ky kongres, zgjodhi në krye të saj patriotin Sulejman Delvina.

Më 11 shkurt të vitit 1920 qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes u vendos në Tiranë, duke e shpallur kështu zyrtarisht kryeqytet i vendit. Në këtë datë vlerësohet historikisht ardhja e qeverisë shqiptare në Tiranë me në krye Sulejman bej Delvinën dhe pritja iu bë asaj nga populli tiranas. Atë ditë në godinën e cila ndodhet në fillim të rrugës së Elbasanit, u vendos qeveria shqiptare me kryeministër Sulejman Delvinën.

Tirana si kryeqytet ka njohur një rritje dhe një zgjerim eksponencial në 100 vite, dhe ky zgjerim vihet re më së miri në aspektin demografik.

Në vitin 2001, sipas të dhënave zyrtare, popullsia e Tiranës fiksohej në 596 mijë individë, ndërsa në 2019, në 895 mijë të tillë, pra një rritje me thuajse 300 mijë banorë, në masën 50%.

Krahasuar me vitin 1990 ndërkohë, kur popullsia e Tiranës ishte rreth 250 mijë banorë, rritja fiksohet në masën 258%, pra  rritur me më shumë se 2.5 herë.

Në vitin 1920 ndërkohë, kur Tirana shpallej kryeqytet i Shqipërisë, paçka se nuk ka të dhëna zyrtare, burime të ndryshme flasin për një popullsi mes 40 dhe 50 mijë banorësh. Kjo do të thotë se në 100 vite kryeqytet, popullsia e Tiranës është rritur me thuajse 17 herë, në masën 1700%.