Simboli i Durrësit, nis restaurimi i Torrës Veneciane

37

Në qytetin e Durrësit ka nisur restaurimi i Torrës Veneciane, e cila pritet të kthehet në pikë informacioni turistik.

Programi EU4Culutre bën të ditur se “nisi restaurimi në një nga objektet më interesante të qytetit të Durrësit. Torra Veneciane është pjesë e siteve të programit EU4Culture  financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës”.

“Jemi shumë të lumtur të ndajmë lajmin se Torra do të kthehet në një qendër interpretimi të trashëgimisë kulturore. Përmbajtja inovative dixhitale dhe aksesi universal, edhe për personat me aftësi ndryshe, shkojnë përtej aspekteve të ruajtjes ku do të fokusoheshim”, thekson EU4Culture.

Kulla Veneciane është një nga ndërtimet më interesante mbrojtëse të Durrësit. Është ndërtuar në shekullin XV mbi kullën bizantine dhe kjo ndërtesë ka qenë pjesë e mureve që rrethonin qytetin e Durrësit.

Kulla ka potencial të pashfrytëzuar si qendër turistike dhe e informacionit interaktiv historik, rivitalizimi i së cilës, përmes programit “EU4 Culture”, do t’i nxisë vizitorët të eksplorojnë më tej sitet e shumta unike të trashëgimisë në të gjithë Durrësin, një nga vendbanimet më të lashta të Ballkanit.