Sistemi eVizita/ Tashmë do merren online edhe raportet shëndetësore

25

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor ka informuar se mjekët e familjet po trajnohen online për sistemin e ri eVizita.

Dixhitalizimi i procedurave mjekësore lehtëson punën për kompletimin e dosjes elektronike për çdo pacient që përfiton barnat e rimbursueshme.

Në kuadër të dixhitalizimit të procedurave mjekësore, aktualisht po vijon trajnimi online i mjekëve të familjes në 5 qytete, përkatësisht në Tiranë, Korçë, Pogradec, Shkodër dhe Dibër për sistemin e ri.

Dixhitalizimi do të mundësojë plotësimin në kohë reale nga mjeku të formularit të vizitës si dhe akses në të dhënat shëndetësore të pacientëve nga mjeku i familjes.

Ndërkaq, do të mund të gjenerohen online edhe raportet shëndetësore. Sipas specialistëve të Fondit të Sigurimit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor, dixhitalizimi i procedurave do të mundësojë raportim dhe akses online për përdoruesit e sistemit.

8 695 profesionistë në Kujdesin Shëndetësor Parësor janë çdo ditë në shërbim të qytetarëve për të ofruar shërbim shëndetësor cilësor afër vendbanimit.