Skema e naftës për bujqësinë, shtyhet afati për aplikimet nga fermerët (Detajet)

34

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë me dije se ka vendosur të shtyjë afatin e aplikimit të fermerëve në skemën e mbështetjes për naftën pa taksa dhe se ky vendim u mor pas konstatimit të fluksit të madh të kërkesave në zyrat e AREB-eve nga fermerë në mbarë vendin. Aplikimet për skemën e mbështetjes me naftë pa taksa nisën më 15 janar të këtij viti e deri më tani  në portalin e-albania janë regjistruar 15 120 fermerë.

Sipas njoftimit paralelisht me këtë proces, ka nisur dhe shpërndarja e kartave të para të naftës dhe gjatë ditëve në vazhdim, krahas aplikimeve në zyrat e AREB-eve, të fermerëve të regjistruar me NIPT, do të vijojë dhe shpërndarja e kartës së naftës, për fermerët që kanë dorëzuar tashmë dokumentacionin e tyre në zyrat e aplikimit dhe njëkohësisht kanë kryer dhe aplikimin në portalin e-albania.

MBZHR njofton se procesi i aplikimit online në portalin e-albania për fermerët e regjistruar me NIPT bëhet përmes kartës së identitetit dhe pas aktivizimit nga Tatimet ata duhet të vetëdeklarojnë dokumentet që disponojnë.

Ministria e Bujqësisë verifikon përputhshmërinë e dokumenteve të deklaruara nga fermeri  me ato që ka depozituar dhe më pas, fermeri duhet të shkojë pranë agjencive të Ekstensionit Bujqësor (AREB), ose Agropikave për tu pajisur me kartën e naftës falas të cilën e tërheq në një pikë karburanti. Në ndihmë të fermerëve janë dhe zyrat e AREB-eve dhe Agropikave.

Po ashtu është vendosur në dispozicion edhe numri jeshil 08008383 në faqen e ministrisë ku mund të kërkohet informacioni i nevojshëm.