SKEMA/ Nga 56-106 litër për hektar, si naftë falas do të përfitojnë fermerët sipas kulturave bujqësore

29

Nga 56 litër për hektar deri 106 litër për hektar nafta pa taksë do të shpërndahet për fermerët që kanë mbjellë tokën me një nga kulturat bujqësore të ndara në 3 grupe si përfituese të skemës të re. Ministria e Bujqësisë publikon normativën e përfitimit të naftës falas për secilin nga grupet dhe nëngrupet e kulturave bujqësore që do të mbulohen nga skema e naftës falas.

Konkretisht sipas tabelës për 1 ha tokë të mbjellë me misër dhe fasule, që përfshihet te grupi “Bimë arash” do të shpërndahet 106 litra naftë falas për hektar. Për të gjitha llojet e frutave, agrumeve dhe vreshtave pjesë e grupit të dytë “Dru frutore” për aplikimet e pranuara do të shpërndahet 90 litra për hektar falas, ndërsa për të mbjellat me mollë 106 litra për hektar.

Në total janë 3 grupe kulturash bujqësore që rimbursohen nga skema dhe 11 nëngrupe. Për perimet e fushës që kultivohen në sezonin e parë të mbjelljes, duke përfshirë të gjitha llojet e perimeve, si edhe shalqi, pjepër, luleshtrydhe normativa e llogaritur e naftës për t’u shpërndarë është 84 litra për hektar. Fermerët që kultivojnë perime sere për sezonin e parë të mbjelljeve do të mbështeten me 95 litra naftë për hektar dhe perimet e mbjella në sezonin e dytë do të mbështeten me 78 litra naftë për hektar.

Sasia e naftës që përfiton aplikanti do të varet nga sipërfaqja e tokës të deklaruar dhe kultura bujqësore që ai ka mbjellë apo që do të mbjellë. Secili nga fermerët mund të bejë vetë llogaritë sesa litra naftë në total do të përfitojë nga skema.

Fillimisht do të llogaritet sasia e naftës falas për te gjithë ata fermerë që kanë deklaruar toke bujqësore deri në 10 hektar. Më pas, llogaritet sa ka ngelur nga fondi limit i naftës dhe për të gjithë ata që kanë më shumë se 10 hektar, për pjesën mbi 10 hektar, shërbehen me sasinë e korrektuar te naftës sipas koeficientit.

Lista përfundimtare e subjekteve përfituese do të dale pas përfundimit të fazës së aplikimeve që është data 25 shkurt 2021. Fermerët kanë të drejtë të tërheqin naftën e përfituar deri më 31 nëntor 2021.

Si çmim referencë për naftën është marrë çmimi mesatar vjetor 144 lekë/litër i botuar nga Agjencia e Prokurimit Publik në Buletinin e Njoftimeve Publike (rubrika “Të dhëna për karburantet”, me burim informacioni Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave). Sipas vendimit këtij çmimi i është zbritur akciza 37 lekë/l; taksa e qarkullimit 27 lekë/l; taksa e karbonit 3 lekë/l dhe TVSH që llogaritet 13,4 lekë/l.

Subjekte përfituese nga skema e mbështetjes me naftë për bujqësinë do të jenë fermerët individualë, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, personat fizikë apo juridikë, të cilët kryejnë veprimtari bujqësore.