Sopranoja shqiptare Klodiana Brahimi shkëlqen në skenat e Bolonjës

14

Qytetit të Shkodrës asnjëherë  nuk i kanë munguar talentet dhe figurat e mirënjohura artistike, dhe jo vetëm,  që  kanë  dhënë dhe japin kontributin e tyre të pazëvendësueshëm.

Klodiana Brahimi lind në qytetin e  Shkodrës, në  një  familje artistësh me virtyte të larta kulturore. Mbesë  e artistëve te mirënjohur  Ibrahim Tukiqi dhe Hysen Koçija, me kontribut të pazëvendësueshëm në muzikën vokale operistike dhe atë popullore brenda dhe jashtë  vendit.

Klodiana u edukua që në vegjëli në një mjedis të pasur me aktivitete dhe veprimtari artistike të herëpashershme,  të cilat ndërtuan dashurinë për artin vokal dhe hodhën bazat e formimit të saj artistik. Që në moshën 5 vjeçare bie në sy për zërin e saj dhe një instikt të zhvilluar ritmiko- muzikor. Më pas evidentohet nga drejtuesi i korit të Festivalit Kombëtar të fëmijëve Shkodër dhe sot dirigjent dhe drejtor artistik, z.Kujtim Alija.  Që atëherë Klodiana bëhet pjesë e pandarë e aktiviteteve artistike për fëmijë të qytetit.  Këto aktivitete kulmojnë me çmimin e I-rë  në Konkursin e zërave për fëmijë “Bilbilat e vegjël të Shkodrës këndojnë”.

Dëshira për të ndjekur gjurmët artistike të familjes së saj, gjithashtu e këshilluar  nga mësues dhe profesionistë të artit muzikor vokal në  Shkodër si: Ferid Bala, Bardhyl Hysa, Kujtim Alija, bëjnë që Klodiana të fillojë studimet për kanto pranë shkollës artistike “Prenk Jakova”, Shkodër. Aty evidentohet për përgatije shumë të lartë artistike, vokalin e saj prej sopranoje kolorature dhe për muzikalitetin që përçonte në çdo interpretim.

Mbas 4 vjetësh përmbyll këtë cikël studimesh me rezultate të shkëlqyera në formimin e përgjithshëm dhe mbi të gjitha në atë artistik.

Në 2004 fiton të drejtën e studimit pranë Akademisë së Arteve, Tiranë, dega kanto nën udhëheqjen e artistes dhe pedagoges Shqipe Zani, duke zgjeruar kështu më tej aftësitë e saja teknike dhe artistike.  Paralelisht me studimet ishte pjesë e pandarë e aktiviteteve më të rëndësishme të qytetit të Shkodrës me korin polifonik “Prenk Jakova “ me drejtues z.Gjon Shllaku, soliste e Qendrës Kulturore “Pjeter Gaci” me drejtues artistik z.Bardhyl Hysa si dhe soliste e Bandës Frymore me Drejtues artistik dhe dirigjent z.Kujtim Alija, duke perfomuar në aktivitete artistike brenda dhe jashtë vendit si: Hungari, Kroaci, Itali, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoninë e Veriut, etj, në produksione unike, festivale e konkurse kombëtare e ndërkombëtare

Në 2006 është pjesë  e Masterclassit në bashkëpunim me Akademinë e Muzikës, Umbria me docent Enzo Tei.

Në 2007 arrin deri në gjysmëfinale të ciklit të spektakleve “Star Akademi 1” dhe një vit më vonë si pjesë e jurisë kritike, në po këtë produksion.

Në 2008 është fituese e çmimit të 1 në konkursin e zërave lirikë “Jorgjia Truja” për moshat 18-22 dhe një vit më vonë si fituese e çmimit të 3-të.

Po këtë vit diplomohet me rezultate të shkëlqyera, për të vazhduar më pas një jetë artistike të pasur me koncerte dhe më pas me role operistike si:

Stella nga opera “La vita e un sogno” premierë absolute, venie për here të parë në Teatrin e Operas, Tiranë nga kompozitori David Tukiçi.

Mbretëresha e natës nga opera “Flauti Magjik” Ë.A.Mozart, premierë absolute në Teatrin e Operas, Tiranë,  pasi mbas shumë vitesh është sopranoja e parë Shqiptare  që interpreton këtë rol.

Suzana nga “Le nozze di Figaro” Ë A.Mozart

Genoveffa nga Triptiku i G.Puccini

Musetta nga “La Boheme” G.Puccini

Zerlina “ Don Giovanni “ Ë.A.Mozart

Aktiviteti i saj koncertor tepër i pasur kulmon me koncertin Recital në 2016 “Në ditën e luleve”, në bashkëpunim me Teatrin “Migjeni”, Shkodër,  Orkestrën e RTSh, Tiranë,  Korin Polifonik “Prenkë Jakova “ dhe artistë të mirënjohur të vendit si: Ferid Bala,  Lorenc Radovani, Kastriot Tusha, Armando Likaj, Eugen Gargjola, Klodiana Vata etj.

-Ka bashkëpunuar me dirigjentë e artistë me famë kombëtare e ndërkombëtare si:

Gjon Shllaku, Kujtim Alija, Suzana Turku, Dritan Lumshi, Michele Campanella, Nicolino Gurakuqi, Leonardo Quadrini, Zhani Ciko, David Tukiqi, Jetmir Barbullushi, Giorgio Musolesi, Fabiana Ciampi, Noorman Ëidjaja, Nicoletta Conti etj.

Kontributi i saj nuk mbetet vetëm në debutimet solistike, por shkon më tej duke prekur dhe aspektin pedagogjik, si fillim në shkollat 9-vjeçare të qytetit të Shkodrës dhe më vonë në 2019 si pedagoge në degën e kantos në shkollën artistike “Prenkë Jakova “.

Në 2016 është anëtare jurie në konkursin Internazional “Città di Fasano”, Itali.

Në 2018 diplomohet si mediatore interkulturore, lëshuar nga shoqata europiane e mësimit në distancë, Madrid, Spanjë.  Që nga 2014-ta jeton në Bologna, Itali, por duke ruajtur bashkëpunimet e saja artistike me Shqipërinë  dhe ndërkohë në Bologna duke u aktivizuar në projekte artistike në bashkëpunim me pianisten, çembalisten dhe pedagoge në Konservatorin Pesaro, Fabiana Ciampi dhe me pianisten e pedagogen në Konservatorin Bolonjës, Nicoletta Conti. Suksesi dhe karriera e kësaj artisteje nuk ka qenë e rastësishme apo e arritur në një ditë,  muaj apo vit, por si rezultat i një pune të palodhur, konstante dhe plot pasion.