Kadare nderohet me titullin shkencor ndërkombëtar

7

Shkrimtari shqiptar i mirënjohur botërisht, Ismail Kadare, është nderuar me çmimin Shkencor Ndërkombëtar “Aleksandër Stipçeviç 2020”. Me këtë çmim janë nderuar: akademiku Idriz Ajeti (2017), akademiku Myzafer Korkuti (2018) dhe akademiku Rexhep Qosja (2019).

Çmimi prestigjioz që mban emrin e akademikut Aleksandër Stipçeviçit: arkeologu, bibliografi, letrari, eseisti dhe albanologu Aleksandër Stipçeviç, iu dorëzua smail Kadaresë, më 10 tetor 2020.

Stipçeviç lindi më 10.10.1930, në fshatin Arbanas pranë Zarës në Kroaci, në një familje me origjinë shqiptare, të ardhur rreth 300 vjet më parë, nga një fshat në zonën Ana e Malit në Mal të Zi. Origjina e familjes e rrënjosur thellë në formimin e tij, ishte një nga arsyet që kur ishte student i arkeologjisë në Universitetin e Zagrebit, kishte vendosur të merrej me ilirët dhe këtë e shpreh qartë në një artikull, në formë interviste të botuar shumë vite më vonë ku shkruan: “Me ilirët kam vendosur të merrem që kur isha student i arkeologjisë. Ata vazhdimisht më kanë preokupuar, në radhë të parë për shkak se kam menduar e mendoj, se nuk mund të studiohet e kaluara e Ballkanit, madje as e tashmja pa njohjen e elementit ilir. Gjithçka që ka ndodhur në Ballkan prej kohës së mesme e këndej, në një farë mënyre, është ndërtuar mbi atë shtresë që ne e quajmë ilire. Pra, çdo tregim për Ballkanin, fillon me Ilirët (“Bota e Re”, Prishtinë 1985).

Libri i parë i tij “Gli Iliri”, Milano 1966, u përkthye në shqip nga Prof. Zef Mirdita dhe u botua në Prishtinë, më 1967 nga Shtëpia Botuese “Rilindja”. Autori ka mundur të japë një pamje më të plotë të historisë dhe të kulturës ilire. Aleksandër Stipçeviç ka grumbulluar e sistemuar aspekte të ndryshme të jetës së ilirëve, të historisë dhe kulturës së tyre dhe ka arritur të bëjë një sintezë të gjithë asaj që ishte thënë e shkruar për ilirët”.