Sot 108 vjetori, si u krijua Banka e Shqipërisë

128
Tamarama House

Në datën 4 tetor përkujtohet krijimi i Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Pas shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar më 28 nëntor 1912, një nga kujdeset parësore të qeverisë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemal Bej Vlora ishte mëkëmbja e një banke emetimi dhe krediti në Shqipëri, e cila ta zhvillonte veprimtarinë e saj në përputhje me normat e bankave kombëtare të shteteve evropiane.

Pas afro pesë shekujsh robërie, populli shqiptar shpalli pavarësinë e tij kombëtare. Kjo ishte një kthesë e rëndësishme në historinë e tij, e cila pati një rëndësi të madhe për zhvillimin e mëtejshëm dhe të shpejtë politik, ekonomik dhe shoqëror të vendit. Megjithë gjendjen tepër të vështirë në të cilën ndodhej, qeveria e përkohshme e Ismail Qemalit mori një sërë masash për konsolidimin e shtetit të ri shqiptar.

Politika ekonomike e qeverisë së Ismail Qemalit pati si qëllim t’i vinte në ndihmë sipërmarrjes shqiptare e cila ishte në hapat e parë të saj. Në kuadrin e këtyre masave një rol të veçantë do të luante bashkëpunimi i saj me shtetet e fuqishme perëndimore, për ngritjen e Bankës Kombëtare të Shqipërisë.

Më 4 tetor 1913 përfundoi marrëveshja e qeverisë së Ismail Qemalit, për krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, me Karol Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të Wienner Bank Verein, që vepronte në emër të grupit bankar austro-hungarez dhe me Pietro Fenolio e Guido Ansbaher përfaqësues të Banca Commerciale Italiana, që vepronte në emër të grupit bankar italian.

“E them me lavdurim – vinte në dukje Ismail Qemali në fjalimin që mbajti në sheshin e mbledhjes në Vlorë,- se puna e Bankës për Shqipërinë është një i dyti fitim, pas lirisë, edhe nga pikëpamja ekonomike dhe politike”.