Spitali “Memorial” i Fierit, i pari me Kartën e Autonomisë Menaxheriale

0

Spitali Memorial Rajonal Fier është spitali i parë publik që përfiton Kartën e Autonomisë Menaxheriale.

Duke e konsideruar një rritje historike rritjen e pagave për mjekët specialistë, nga Spitali Memorial, Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se do të vijojë rritja e pagave të targetuara edhe për kategori të tjera të personelit shëndetësor.

Duke filluar nga muaji prill paga për mjekët specialistë do të rritet me 50 mijë lekë të reja. Një rritje historike për mjekët specialistë, për t’i mbështetur dhe motivuar. Nga ana tjetër, pavarësisht se rritja e pagave të targetuar u fokusua tek mjekët specialistë si një mbështetje e mëtejshme, për sa i përket rritjes së pagave që tashmë është vendosur ne kalendarin e viteve si një rritje progresive me 7% për personelin infermieror dhe mjekë të përgjithshëm dhe duke filluar nga vitin 2024 do të ketë rritje të targetuara, ashtu sikurse për mjeket specialistë, edhe për kategori të tjera të shëndetësisë, përfshirë mjekë të përgjithshëm dhe infermierë

Spitali Memorial Fier është spitali i parë publik që përfiton Kartën e Autonomisë Menaxheriale me afat dy vjeçar pas përmbushjes së të gjithë kritereve të përcaktuara në Rregulloren e Autonomisë Spitalore.

Në shkurt të këtij viti u miratua me Vendim të Këshillit të Ministrave Rregullorja e Autonomisë Spitalore që i hap rrugën të gjithë spitaleve publike për të aplikuar fillimisht për autonomi menaxheriale pas përmbushjes së kritereve të përcaktuara.

Autonomia spitalore i jep mundësinë spitaleve publike të kenë mekanizmat e duhur ligjorë dhe rregullatorë për t’u vetadministruar për nga pikëpamja menaxheriale dhe financiare; për rritjen e konkurrueshmërisë ndërmjet spitaleve publike ndërmjet njëri – tjetrit, por dhe me spitalet jopublike, për rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor për qytetarët; mirëmenaxhimit të burimeve njerëzore dhe rritjes së instrumenteve dhe mekanizmave për punësimin e mjekëve specialist në sektorin publik, si dhe rritjes së gamës së shërbimeve në spitalet publike, duke i dhënë fund epokës së centralizimit të shërbimeve shëndetësore publike të nivelit terciar vetëm në spitalet universitare.

/ata.gov.al