Stoli Beli, spikerja e parë në TVSH

69

Është dëshmitare e 4 dekadave në Televizionin Shqiptar. Që nga lindja e tij si ekran eksperimental, ekipet e punonjësve shqiptarë e të huaj, ndryshimet e drejtorëve e deri te prapaskenat për kontrollin e lajmeve. Por, të gjitha këto e kanë një fillim. Data 29 prill. Viti 1960. Ora 18:10 minuta.

Një vajzë e bukur brune, krejt natyrale, përveç një buzëkuqi të lehtë, u shfaq befas në ekran, duke thënë: “Të dashur telespektatorë, mirëmbrëma! Qendra eksperimentale e Televizionit Shqiptar, filloi sonte për herë të parë programin e saj”.

Për herë të parë… Kështu funksionoi Televizioni Shqiptar bardhë e zi. Po për herë të parë, Stoli Beli doli në ekran, duke u bërë kështu spikerja e parë në televizion, ashtu siç u bë më pas edhe gazetarja e parë, redaktorja e parë dhe regjisorja e parë. Dhe, të parët hyjnë në histori…