Tarifat e reja roaming me Kosovën ulen në 15 qershor, ja kur hiqen plotësisht

55

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka hedhur për këshillim publik dokumentin që do të rregullojë uljen graduale deri në heqje të tarifave roaming me Kosovën. Ulja drastike e tarifave roaming do të fillojë që nga 15 qershori i këtij viti, ndërsa heqja e plotë e tyre do të bëhet në 1 korrik 2020 ose 2021, në varësi vendimit përfundimtar që do të merret pas konsultimit publik. Duke filluar nga data 15 qershor, abonentët shqiptarë që përdorin shërbimin roaming në Kosovë do të paguajnë tarifën përkatëse kombëtare, plus një tarifë shtesë që nuk mund të jetë më e lartë se 7.5 lekë për minutë.

Në total, nuk mund të jetë më e lartë se 28.5 lekë për minutë thirrje dalëse, përfshi TVSH-në. Për thirrjet hyrëse, çdo abonent i operatorëve celularë shqiptarë që përdor shërbimin roaming në Kosovë do të paguajë një tarifë fikse jo më të lartë se 6 lekë për minutë. Për mesazhet e shkruara të dërguara në roaming nga Kosova çmimi tavan do të jetë 9 lekë. Për përdorimin e internetit në roaming, tarifa maksimale e përcaktuar do të jetë rreth 26.4 lekë për MB (megabajt).

Tarifat që hyjnë në fuqi nga 15 qershori janë ndjeshëm më të ulëta se tarifat aktuale standarde të shërbimit roaming në Kosovë. Për shembull, Vodafone Albania aplikon sot një tarifë minimale standarde prej 215 lekë për minutë, ndërsa Telekom Albania 140 lekë për minutë. Vetëm Albtelecom, me 25 lekë për minutë thirrje dalëse, ka sot një tarifë standarde për të ulët krahasuar me tarifën e re tavan prej 28.5 lekësh për minutë.

Vendosja e tavaneve mbi tarifat nuk do t’i pengojë operatorët të vazhdojnë të përdorin paketa roaming ofertë, ku çmimet për njësi të jenë më të ulëta se ato standarde. Ndërkohë, pas rregullimit tranzitor, që do të zgjasë një ose dy vjet, të gjitha tarifat shtesë të shërbimit roaming do të hiqen në mënyrë reciproke. Përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri dhe Kosovë do të paguajnë në roaming tarifa të njëjta me ato që paguajnë brenda vendit