Të ecësh mes reve, ura tibetiane për këmbësorë më e gjatë në botë ndodhet në Portugali

45

Në Portugali u përurua para disa ditësh ura për këmbësorë, e varur, më e gjatë në botë. Ura 516 Arouca është e lartë 175 metra, e gjatë 516 metra dhe e gjerë 1.2 metër. Është një vepër e inxhinierisë së përsosur për njerëzit në kërkim të adrenalinës.

Me më shumë se gjysmë kilometër gjatësi është ura tibetiane për këmbësorë më e gjatë. Këtë rekord e mbante deri më tani, ura e varur Charles Kuonen në Zvicër.

Vepra, e realizuar me kabllo dhe rrjeta metalike, që i lejon ata të cilët ecin përgjatë saj, të shohin natyrën nën këmbët e tyre, qëndron pezull midis dy kullave prej betoni në formë “V”, rreth 35 metra të larta. Ata që vendosin ta bëjnë këtë shëtitje “në boshllëk” me pamje nga lumi, do të befasohen nga panorama rreth lumit Paiva që përshkon luginën, grykën e pabesueshme të Paiva dhe ujëvarën Agueira.

Do t’ju krijohet përshtypja sikur do të ecni mes reve. Këto do të jenë dhjetë minuta gjithë adrenalinë…

Ura 516 Arouca ka si qëllim rritjen dhe promovimin  e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të kësaj zone në Portugali, jo shumë larg Portos, biodiversitetin e parkut, si dhe të nxisë zhvillimin e ekonomisë së gjithë rajonit. Ura do të bëhet edhe një kartëvizitë për Portugalinë dhe për inovacionin e saj në projektet e inxhinierisë civile.

Të përshkosh Arouca do të thotë të zhytesh në natyrë – pikërisht këtu ndodhet Gjeoparku i Arouca-s (Arouca Geopark) i njohur në vitin 2009 nga UNESCO për trashëgiminë gjeologjike me një rëndësi të jashtëzakonshme. Ky muze autentik është vendi ideal për ata që praktikojnë aktivitete sportive si canyoning, kayak apo ngjitje.