Teknika e testuar te minjtë, një hap përpara në trajtimin e infertilitetit

12

Embrionet janë marrë nga një qelizë e lëkurës pa pasur nevojë të riprogramohet për të marrë një qelizë germinale.

Teknika e re, e testuar te minjtë, shënon një hap të ri drejt trajtimit të infertilitetit.

Rezultati është publikuar në revistën shkencore “Science Advances” dhe hulumtimi është koordinuar nga Qendra për Qelizat Embrionale dhe Terapinë Gjenetike në Universitetin e Shëndetit dhe Shkencës në Oregon, në Portland.

Hapi tjetër do të jetë testimi i teknikës edhe në ovocitet e njeriut, por do të duhen ende shumë vite përpara se të mund t’i afrohet një aplikimi klinik.

Teknika bazohet në modelin e vitit 1996 për klonimin e deles Dolly, por është modifikuar për të gjeneruar embrione që zotërojnë kromozomet e dy individëve.

Bërthama e qelizës së lëkurës, pjesa që përmban ADN-në, u transferua në një vezë të privuar nga bërthama e saj origjinale.

Pasi implantohet, bërthama e qelizave të lëkurës hedh poshtë gjysmën e kromozomeve të saj, një hap kyç që përgatit vezën për t’u fekonduar nga sperma.

Më pas, veza fekondohet “in vitro” dhe gjeneron një embrion të qëndrueshëm, me kromozomet e individit nga i cili u mor qeliza e lëkurës dhe ato të dhuruesit të spermës.

Qëllimi është të prodhohen vezë për pacientët që nuk kanë vezë të tyre.

Teknika, në fakt, mund të përdoret te gratë që nuk janë në gjendje të prodhojnë vezë të qëndrueshme, por gjithashtu jep mundësinë, për burrat e përfshirë në marrëdhënie homoseksuale, që të kenë fëmijë të lidhur me të dy prindërit.

Studiuesit njoftuan realizueshmërinë e metodës në një studim të botuar në janar 2022, por tani është bërë një progres i mëtejshëm për të kuptuar se si funksionon teknika.

Aktualisht, shumë laboratorë në mbarë botën synojnë të riprogramojnë qelizat e lëkurës duke i bërë ato të transformohen së pari në qeliza staminale pluripotente të induktuara, pra qeliza të rritura të kthyera në një gjendje të ngjashme me embrionin, dhe më pas në qeliza vezë.

“Ne duam të kapërcejmë të gjithë fazën e riprogramimit qelizor”, tha Paula Amato, bashkëautore e studimit.

“Ka ende shumë punë për të bërë dhe për të kuptuar se si kromozomet çiftëzohen dhe ndahen, në mënyrë që të riprodhohet besnikërisht ajo që ndodh në natyrë”, sipas studimit.

/ata.gov.al