Tiranë/ Miratohet fondi 1.6 miliard lekë për rehabilitimin e Lanës

40

Qeveria miratoi sot fondin prej një miliard e pesëqind e nëntëdhjetë milionë që do të ndahet me bashkinë e Tiranës në tre vite për projektin e rehabilitimit të shtratit të lumit Lana në bashkëpunim me Bankën Europiane të Investimeve.

Në vendim thuhet se Këshilli i ministrave miratoi “financimin në vlerën 1 590 000 000 lekë, të bashkëfinancimit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të projektit “Shtrati i Lumit Lana-zhvillim urban”, që do të financohet nga Banka Europiane e Investimeve.

Vlera prej një miliard e pesëqind e nëntëdhjetë milionë lekësh, e cila do të përdoret për qëllimin e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, do të përballohet 50% nga buxheti i shtetit, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe 50% nga buxheti i Bashkisë së Tiranës dhe do të shtrihet në tri vite”. Në vendim sqarohet se për çdo vit do të jenë pesëqind e tridhjetë milionë lekë në dispozicion, duke nisur nga 2021.

Projekti zhvillimor i lumit Lana parashikon krijimin e një shtrati me regjim hidraulik eficient për të eliminuar problematikën e përmbytjeve në këtë zonë, si dhe duke krijuar hapësirat e nevojshme të zhvillimit urban të zonës. Gjithashtu, duhet të zgjaten bulevardet paralel me lumin me të gjithë infrastrukturën e nevojshme.

Zona që ndikohet nga projekti shtrihet në një sipërfaqe prej 110 ha.