Tiranë, nis ndërtimi i banesave të reja për 50 familje rome në Shkozë

255

Bashkia e Tiranës ka nisur punën për zbatimin e projektit të financuar nga “IADSA”, që synon ndërtimin e banesave të reja me qëllim krijimin e kushteve më të mira dhe përmirësimin e jetës sociale të 50 familjeve të komunitetit rom.

I pranishëm në nisjen e punimeve për projektin “New House-New Life: Rehabilitation of Roma Community Settlement”, në Shkozë ishte dhe kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe Ministri për Financat, Arben Ahmetaj. Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ndërtimi i banesave të reja është një lajm i mirë për anëtarët e komunitetit rom, ndërsa theksoi se kjo është përgjigjja më e mirë ndaj atyre që në vend të ndihmojnë për zgjidhjen e problemeve, merren me fjalë.

Projekti synon të ndërtojë një infrastrukturë të përshtatshme për kushte më të mira jetese dhe një strukturë e cila siguron një mbështetje sociale dhe psikologjike për anëtarët e komunitetit rom në mënyrë që t’i mbështesë ata në edukim dhe trajnimin profesional që të mund të punësohen, të integrohen në shoqëri dhe të jenë pjesë e programeve të mëtejshme të zhvillimit të Bashkisë Tiranë, për një komunitet të qëndrueshëm.

Gjithashtu, synohet përmirësimi i kushteve sociale dhe ekonomike të këtyre familjeve në bazë të strehimit social apo strehimit të pavarur, si dhe punësimit të qëndrueshëm dhe të gjithë të rinjtë e moshës 16 – 30 vjeç do të ndjekin kurse trajnimi profesionale. Një tjetër synim është dhe regjistrimi në shkollë për të gjithë fëmijët, të cilët do të pajisen me karta shëndeti, do vaksinohen rregullisht dhe do të kenë akses në përfitimin e shërbimeve shëndetësore.