Tiranë, nis rehabilitimi i tregut të fruta-perimeve në Njësinë 5

279

Banorët e Njësisë Nr. 5 pranë lulishtes “1 Maji” do të kenë shumë shpejt një treg fruta-perimesh me kushte moderne, i cili garanton higjienë për produktet ushqimore. Bashkia e Tiranës nisi dje punën për rehabilitimin e tregut aktual, i cili për shkak të fluksit të madh të qytetarëve dhe të mungesës së investimeve ndër vite, ishte lënë në një gjendje të mjerueshme.

Projekti për rehabilitimin e tregut në lulishten “1 Maji”, parashikon riparimin e të gjitha tezgave, zëvendësimin e mbulesës e cila do të garantojë mbrojtjen e tregtarëve dhe të qytetarëve gjatë reshjeve të shiut dhe gjithashtu do të ndihmojë në mbrojtjen nga temperaturat e larta gjatë stinës së verës. Tregu ka sipërfaqe 335 m2, ku në pjesën veriore të tij është parashikuar shtrimi me asfalt i hyrjes që do të shfrytëzohet si ambient parkimi në shërbim të tregut. Gjithashtu, është përcaktuar edhe zëvendësimi i sistemi elektrik aktual, i cili është tërësisht i amortizuar, me një rrjet të ri bashkëkohor.