Tjetër lajm i mirë/ Holanda ndez dritën jeshile për negociatat Shqipëri-BE

15

Ambasada holandeze në Tiranë konfirmoi se Holanda ka rënë dakord për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë.

Ambasada njofton se shumica e parlamentit ra dakord, dhe shton se procedura do të finalizohet nesër me votimin e mocioneve të mundshme të ngritura nga partitë apo grupet parlamentare.

“Sot, shumica e parlamentit ra dakord që të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, pas miratimit të kuadrit negociator. Procedura do të finalizohet nesër me votimin e mocioneve të mundshme të ngritura nga partitë apo grupet parlamentare”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

“Qeveria holandeze është e kënaqur që është krijuar një kuadër negociues i qartë dhe i qëndrueshëm për negociatat e pranimit midis BE-së dhe Shqipërisë. Qeveria pret me kënaqësi mbajtjen e të parës Konferencë Ndërqeveritare si një nisje zyrtare e negociatave, një trajektore intensive në të cilën reformat në fushën e sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe fuqizimit të mëtejshëm të institucioneve demokratike do të mbeten prioritete kyçe”, thotë ambasada