Toronto? Jo, jemi në Tiranë! The Independent: Nga ushqimi tek gjallëria e qytetit, pse duhet të vizitoni Tiranën në 2019

164

“Prit, je në Toronto? Mendova se ju thatë se jeni në Evropë. Jo, nuk jam në Toronto. Jam në Tiranë. Është kryeqyteti i Shqipërisë”.

Kështu e nis rrëfimin për Tiranën, Ryan Chatterton për prestigjiozen britanike “The Independent”, duke treguar se zbulimi i këtij qyteti, shpesh tek kolegët apo miqtë ka krijuar konfuzion.

Pasi Ryan u tregon për vendndodhjen e Tiranës, shpesh pyetjet që merr mbrapsht janë: “Pse në Shqipëri? A nuk është e rrezikshme atje? A kanë rrugë?”. Teksa Ryan u përgjigjet: “Jam habitur që ëifi punon shumë mirë!”.

“Në të vërtetë, nuk e dija shumë për Shqipërinë, para udhëtimit tim të parë në Tiranë në verën e vitit 2018. Dhe më duhet ta pranoj që kisha formuar një opinion negativ për rajonin. Pavarësisht se nuk dija asgjë për vendin apo popullin, unë e imagjinoja Shqipëria një vend të rrezikshëm, me një terren të ashpër dhe pak infrastrukturë, si edhe ku krimi dominonte”, rrëfen Ryan.

Pasi tregon për pushtimin, luftërat, izolimin, si edhe rrëgjimin postkomunist apo luftën civile, Ryan e pranon se kishte krijuar një mendim të gabuar për Shqipërinë.

“Ushqimi është shumë i shijshëm dhe i lirë. Qendra e qytetit është e gjallë dhe e ngrohtë me shumë gjallëri gjatë natës. Plus, moti është fantastik. Si një nomad dixhital, shpesh duke qëndruar në vende për tre ose më shumë muaj, unë e kam shtuar zyrtarisht Tiranën në listën time të qyteteve që duhen vizituar në 2019”.

Ryan sugjeron kafet, baret dhe restorantet në zonën e ish-Bllokut, vend të cilin e krahason me Bristol në Londër, por në ndryshim Blloku po ndryshon me një ritëm të pabesueshëm si edhe ofron çmime të kënaqshme.

“Kafet, baret dhe restorantet nuk mund ta transformojnë vetëm një qytet: Tirana gjithashtu ka parë investime të konsiderueshme në projektet e infrastrukturës publike. Një shembull kryesor është rikonceptimi i sheshit kryesor, Sheshi Skënderbej, i cili përbëhej nga një rrethrrotullim i madh që përfshinte një lëndinë të vogël dhe një statujë të heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Nuk kishte shumë për të parë. Por sot është kthyer në një hapësirë të gjallë publike”.

Ryan e thekson se e gjithë kjo nuk do të thotë që Shqipëria është një destinacion turistik i rafinuar. Në të vërtetë, vendi ka nevojë për shumë më tepër përmirësime në infrastrukturë, për të qenë tërësisht i aksesueshëm për udhëtarët.