Miratohen fondi 620 milionë lekë për bujqësinë, ja kush përfiton

79

Qeveria shqiptare ka akorduar një fond prej 620 milionë lekësh për bujqësinë. Vlera do të shkojë në dy zëra 495 milionë për rritjen e konkurrueshmërisë të produkteve blektorale e peshkimit dhe 125 milionë lekë për shtimin e sipërfaqeve të ullishtave. Në vendimin e qeverisë janë përcaktuar edhe kushtet që duhet të përmbushin fermerët për të marrë subvencione nga Ministria e Bujqësisë nga zëri “Transfertë në buxhetet familjare” dhe 125 milionë lekë nga zëri “Shpenzime kapitale me financim të huaj”

Vendimi

Këshilli i Ministrave miratoi dje fondin e programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, i miratuar në buxhetin e vitit 2019 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, shuma prej 495 milionë lekësh, në zërin “Transfertë në buxhetet familjare”, të përdoret për: rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve blegtorale e të peshkimit dhe uljen e kostove të prodhimit, nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikulluara, për dorëzimin e qumështit si dhe për açuge dhe sardele të peshkuara; mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale dhe mbështetjen për Fermën Didaktike Eksperimentale, të Universitetit Bujqësor të Tiranës, për trajnimin dhe transferimin e njohurive në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural. Gjithashtu, qeveria ka miratuar edhe shumën prej 125 milionë lekësh, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të huaj” për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullirit”, të përdoret për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, përmirësimin e mekanizimit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit.

Masa e shpërblimit

Sipas vendimit, masat e mbështetjes dhe të financimit të jenë për tufën bazë të matrikulluar, për fermat me jo më pak se 100 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1 000 lekë/krerë. Dorëzim qumështi lëndë e parë, në vlerën 10 lekë për litër në pikat e përpunimit, për fermat me jo më pak se 10 krerë lopë kundrejt faturës tatimore të shitjes, por jo më shumë se 700 000 lekë për subjekt. Mbarështim i bletarisë me 1 000 (një mijë) lekë për zgjua për ferma me jo më pak se 50 zgjoje, por masa e financimit të jetë jo më shumë se 150 000 lekë për subjekt. Ndërsa mbështetja ndaj anijeve të peshkimit me flamur shqiptar, në vlerën 20 lekë/kg për açuge dhe/ose sardele të peshkuara. Pagesa të kryhet kundrejt sasive të tregtuara në stabilimentet shqiptare vetëm për qëllime përpunimi të këtyre produkteve, të vërtetuara me fatura tatimore dhe certifikatë zënieje. Në rastin kur anijet janë në pronësi ose të marra me qira nga stabilimentet e përpunimit të peshkut, pagesa të kryhet kundrejt sasive të verifikuara me certifikatë zënieje dhe/ose: faturave të shitjes së produkteve të përpunuara për në tregun vendës dhe të deklaratës doganore për eksportin e prodhimeve të përpunuara.

Financimi për ullishtat

1.Mbjellje e ullinjve në vlerën 350 000 lekë/ha, për format intensive të kultivimit, dhe në vlerën 250 000 lekë/ha, për format tradicionale. Kur kultivari është autokton masa e financimit shtohet me 50 000 lekë/ha.
2.Sipërfaqja e mbjellë me ullinj për fermerët individualë të jetë jo më pak se 0.2 ha, për grup fermerësh jo më pak se 1 ha, në një bllok të vetëm, për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB) jo më pak se 3 ha. Madhësia e ngastrës të jetë jo më pak se 0.2 ha, kur nuk është në bllok.
3.Masa e financimit për sipërfaqe të mbjellë të jetë:
a. deri në 0.5 ha, me 100% të vlerës për ha;
b. mbi 0.5-5 ha (4.5 ha e dytë) të rritet me 25% të vlerës për ha;
c. mbi 5.0 -10 ha (5 ha e tretë), të rritet me 50% të vlerës për ha.
Masa e financimit për sipërfaqe të mbjellë, për aplikuesit me status SHBB:
a. 3-5 ha, të rritet me 40% të vlerës për ha;
b. mbi 5.0 -10 ha (5 ha e dytë), të rritet me 65% të vlerës për ha.
Pagesa për plotësimin e numrit të bimëve në ullishtat e vjetra/degraduara në masën 70 000 lekë/ha.
dh) Përmirësimi i teknikave të ujitjes, nëpërmjet instalimit të ujitjes me pika në ullinj, jo më shumë se 250 000 lekë/ha. Financimi të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 0.2 ha.
e) Blerje e makinerive dhe e pajisjeve për vjeljen e ullirit, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5 000 000 lekë për subjekt.
ë) Blerje e makinerive dhe e pajisjeve për prodhimin e vajit të ullirit, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 20 000 000 lekë për subjekt.
f) Mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural nga 6 deri në 10 dhoma, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5 000 000 (pesë milionë) lekë për subjekt. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.
g) Mbështetje për investime në agroturizëm kundrejt planit të biznesit, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 10 000 000 lekë për subjekt. Përfitues janë subjektet të cilët nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.