Tri Receta me Shije Fantastike nga Kuzhina Përmetare

350

A do të hash e të bësh qejf? Sofra e shtruar si për mbret, pastërti e për yzmet, të tillë gjen veç në Përmet…..

Jo më kot, edhe Fan Noli ka veçuar Përmetin në poezitë e tij si një ndër vendet më të spikatura të Shqipërisë sidomos në traditën e tij të gatimit.

Me gatime tërësisht tradicionale, e receta të trashëguara brez pas brezi ashtu si qëmoti deri në ditët e sotme gratë nikoqire përmetare kanë ditur të ruajnë në mënyrë fanatike traditën unike të kësaj zone.

Të famshme për glikotë e ëmbla mbresëlënse, për gjellët tipike shije plota, për byrekët fantastikë e zahiretë unike, gratë përmetare kanë mahnitur këdo me gatimet e tyre speciale, vendas e turistë të huaj.

Mishi i pjekur ngadalë në hell, në saç apo në bidon është një nga specialitetet më të shijshme dhe më të kërkuara të kuzhinës përmetare.

AgroWeb.org sjell më poshtë tre nga gatimet më tipike tradicionale të kuzhinës përmetare.  

Shqeto

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

  • 4-5 thela mish qengji
  • 2 lugë gjelle miell gruri
  • 1 gotë me qumësht
  • 1 kokërr vezë
  • 1 lugë gjelle gjalpë
  • Kripë
  • Piper
  • Majdanoz i freskët

Përgatitja

Zgjidhet mish qengji i majmë dhe pritet në racione. I hidhet kripë dhe vendoset të zjejë në zjarr të ngadalshëm.

Në një enë, kaurdiset mielli me gjalpë, në momentin që mielli zverdhet shuhet me qumësht dhe kaurdiset me një lugë druri në mënyrë që të mos krijojë kokrra. Më pas, shtohet lëng mishi dhe trazohet derisa masa të bëhet e njëtrajtshme.

E gjithë masa në vijim i shtohet mishit  dhe lihet që të zjejë përreth 5 minuta. Pasi supën shqeto e kemi hequr nga zjarri dhe është ftohur pak, supa pritet me veyë dhe me limon.

Në fund i shtohet majdanoz i grirë hollë dhe pak gjalpë i freskët i shkrirë. Kur shërbehet spërkatet me piper të zi.

Receta e Reshedisë së Pjekur  

Përbërësit

  • 200 gr niseshte
  • 100 gr gjalpë
  • 150 gr sheqer
  • Një filxhan kafeje me qumësht
  • 600 ml ujë
  • Arra të thërrmuara sipas dëshirës

Përgatitja

Si fillim hidhni në një tenxhere gjysmën e sasisë së ujit që duhet në përgatitjen e reshedisë. Shtoni aty sheqerin dhe gjalpin e shkrirë.

Tenxheren vendoseni në zjarr të ngadaltë.

Në vijim, AgroWeb.org ju udhëzon që në një enë tjetër të tretni niseshtenë me pjesën tjetër të ujit.

Në momentin që masa që kemi vendosur në zjarr nis të vlojë shtojmë nga pak niseshtenë e tretur duke trazuar masën në mënyrë të pandërprerë.

AgroWeb.org ju sugjeron që të përdorni një lugë druri gjatë përzierjes ose një rrahëse vezësh.

Përziejeni pa ndërprerje derisa masa të shkëputet lehtë nga anët e tenxheres.

Në fund, nëse dëshironi masës mund t’i shtoni edhe pak arra të thërrmuara brenda.

Më pas, masën e kalojmë nga tenxherja në një tavë duke e shtrirë në të gjithë sipërfaqen e saj në mënyrë të njëtrajtshme.

Në vijim, mbi reshedinë që kemi vendosur në tavë hedhim qumështin dhe e përhapim në të gjithë sipërfaqen e saj.

Në disa raste, amvisat përdorin edhe një të verdhë veze të përzierë me qumështin dhe me të lyejnë sipërfaqen e reshedinë.

Më pas, tavën futeni në furrën e parangrohur me 200 gradë. Lëreni të piqet përreth 40 minuta derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të kuqërremtë të artë.

Si Të Përgatisim Supën me Thërrime

  • Një pulë ose zog fshati 1 kg
  • Katër lugë gjelle vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper
  • 3-4 thelpinj hudhra të shtypura
  • Një lugë gjelle gjalpë të freskët
  • Lëngu i kokërr limoni

Për Thërrimet

Në një tas hidhni gjashtë lugë miell dhe pak kripë.

Rrihni dy të verdha vezësh dhe shtojini tek mielli.

Përzjeini miellin me vezët me duar duke e shkoqur me dy pëllëmbët e duarve.

Bëjeni këtë proces derisa i gjithë mielli të shndërrohen në kokërriza të vogla.

Më pas, vendosini thërrime në një tavë që të pushojnë për 20 minuta.

Përgatitja e Supës

Pastroni pulën ose zogun e fshatit dhe ndajeni në copa.

Në një tenxhere, shtoni vajin e ullirit dhe copat e pulës për t’i skuqur për pak minuta nga të dyja anët.

Hidhni pak kripë dhe ujë derisa të mbulohen mirë të gjitha pjesët e pulës duke e lënë që të zjejë për 20 minuta.

Ndërkohë, në një tigan hidhni një lugë gjalpë dhe skuqni thërrimet derisa të zverdhen.

Shtojini në tenxheren ku keni pulën dhe lëngun e saj dhe vendosni sërish në zjarr për të zjerë bashkë derisa supa të mpikset.

Sapo lëngu të jetë mpiksur dhe trashur pak shtoni hudhrat, lëngun e limonit dhe piperin e zi dhe hiqeni nga zjarri.

Kjo supë fantastike e kuzhinës shqiptare serviret e ngrohtë.

/agroweb.org