TVSH e zbritshme për karburantin, deri në 12 % për fermat bujqësore e blegtorale

35

Fermave bujqësore dhe blegtorale do t’u njihet më shumë TVSH e zbritshme te shpenzimet e karburantit për qëllime të veprimtarisë ekonomike.

Ndryshimet në Udhëzimin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” të botuar në Fletoren Zyrtare përcaktojnë se për fermat bujqësore dhe blegtorale njohja e TVSH-së së zbritshme do të jetë deri në 12% të shpenzimeve për karburantin e blerë, nga 3% që është aktualisht. Ndryshimet nuk do të zbatohen për naftë e përfituar pa akcizë nëpërmjet skemave mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë.

“Në udhëzimin nr. 6, datë 30.1.2015, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet si më poshtë: Në nenin 55, “Kufizime të zbritjes së TVSH-së për disa furnizime”, bëhen këto shtesa: Pas germës “c”, të pikës III, shtohet pika “ç”, me këtë përmbajtje: “ç) Fermat bujqësore dhe blegtorale, deri në 12%.

Ndryshimet vlerësohen pozitive nga përfaqësues të industrisë përpunuese të qumështit, pasi sipas tyre rritja e kufirit të shpenzimeve për karburant me TVSH të zbritshme do të nxisë formalizimin e fermave.

Me kushtin që karburanti i blerë të përdoret vetëm për nevoja të veprimtarisë ekonomike të tatueshme, e drejta për të zbritur TVSH-në ushtrohet deri në normativat e përcaktuara sipas veprimtarive në udhëzimin për tatimin mbi vlerën e shtuar.

Për sektorin e peshkimit kjo normativë është 10%, në ndërtim varion nga 8 deri 33%, për transportin e udhëtarëve 43%, të mallrave me mjete teknologjike 78%, në tregti 3% dhe veprimtari të tjera 2%.

/ata.gov.al