VENDIMI/ Rriten me 2.7% pensionet për të gjithë kategoritë, sa përfitojnë

66

Qeveria ka miratuar rritjen me 2.7% të të gjitha pensioneve në vend, duke përfshirë pensionin bazë, atë social, pensionin e pleqërisë dhe të gjithë pagesat që marrin personat me status të veçantë.

Indeksimi i pensioneve shton mesatarisht me 390  lekë në muaj pensionin minimal dhe me 780 lekë pensionin maksimal.

Vendimi hyn në fuqi duke nisur nga muaji Prill, çka bën që mbi 680 mijë persona të përfitojnë rritje të pensionit të tyre për shumën që do të marrin në muajin Maj.

Rritja e pensioneve është marrë në bazë të politikave të qeverisë për indeksimin e tyre, por kjo rritje është bërë duke patur parasysh ndryshimet në çmimet e shportës së ushqimeve, e cila ka rezultuar afër nivelit 2.7%, ndërsa vetë inflacioni vjetor i vitit 2020 është 1.6%.

Në total fatura në buxhet për indeksimin e pensioneve kap një vlerë prej 24 milion dollarësh.

Rritje do të përfitojnë edhe pensionet invaliditetit, pensionet e naftëtarëve, minatorëve, ish-policëve, ushtarakëve dhe pensionet familjare.

Një vit më parë Këshilli i Ministrave indeksoi pensionet me 2.3%.