VIDEO/ Gjysmë shekulli bashkë! Historia e dy bashkëshortëve që jetojnë në azil

130

“Rëndësi ka të kalojmë mirë, kjo është jeta. Je gjithmonë i fituar nëse ke për fat një grua me të cilën merresh vesh. Nëse nuk merresh vesh, atëherë je i humbur. Ka marrë fund kjo punë”, shprehet Gjon Gjoka.

Jeta nuk u fali fëmijë dhe e vetmja gjë që i mban të fortë është dashuria për njëri-tjetrin. Gjon Gjoka, 81 vjeç, është shumë i kënaqur me kushtet ku jeton, ndonëse është çifti i vetëm në atë shtëpi.

“Kemi 3 mjekë që na mbajnë afër, na respektojnë dhe na nderojnë. Këtu jemi vetëm ne, burrë e grua, ndërsa ambienti është plot me njerëz”, tregon më tej Gjoni.

Sapo hyn në dhomën ku qëndron çifti Gjoka të bën përshtypje makina qepëse që ndodhet në qendër. Për Agetinën, ky mjet është shumë i shtrenjtë, pasi ka 33 vite që ushtron profesionin e rrobaqepëses.

Agetina tregon se vetminë e kanë hedhur tej, pasi erdhën në ambientet e azilit.

“Këtu personeli na rri gati për gjithçka, nuk na lënë asnjëherë të ndiejmë vështirësitë e moshës”, deklaron Agetina Gjoka.

Në fund, Gjoni ka edhe një mesazh për të rinjtë.

“T’i mbajnë pranë e t’i respektojnë prindërit dhe gjakun e tyre, sepse nga ata kanë ardhur në jetë dhe kanë detyrime para vetes, para Zotit të paktën për t’i respektuar”.