Kalaja e Beratit, rreth 16 mijë vizitorë për muajin shtator

0
33

Kalaja e Beratit një nga atraksionet turistike më të preferuara në Shqipëri edhe pse drejt fundit të sezonit turistik ka shënuar për muajin shtator shifrën prej 15,548 vizitorë duke e çuar numrin e vizitorëve për periudhën janar – shtator 2018 në 110,481 vizitorë vendas dhe të huaj, statistikë kjo e cila shpreh më së miri interesin në rritje për turizmin dhe trashëgiminë kulturore.

Krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kemi rreth 49,500 vizitorë në total, nga këta 22,000 kanë qënë turistë të huaj.

Kalaja e Beratit

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II p.e.r. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.

Disa prej tyre janë: Kisha e Shën Triadhës, e cila i përket fundit të shek. XIII dhe fillimit të shek. XIV. Në brendësi të saj ka afreske mjaft interesante. Pas kishës së Shën Todrit gjenden kishat e Shën Kollit, Shën Kostandinit, Shën Helenës, Shën Mërisë Vllaherna etj.

Muzeu i Ikonave Onufri: Ndodhet në lagjen Kala dhe përmban disa nga shembujt më të bukur të artit fetar në Shqipëri. Muzeu u hap në vitin 1986, emrin e ka marrë prej piktorit të madh të shek. XVI të shkollës shqiptare, Onufrit. Me mbi 210 objekte muzeale, 60 prej të cilave të shpallura si monumente të kategorisë së parë, Berati konsiderohet si një nga qytetet me trashëgiminë më të pasur kulturore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.