Vitin e ardhshëm nis ndërtimi i hekurudhës Vorë-Hani i Hotit

27
Banka Europiane për Zhvillim (BERZH) do të financojë me një hua prej 98 750 000 eurosh për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit.

Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit; Projekti kontribuon në një sistem transporti më të qëndrueshëm për mjedisin, në përputhje me agjendën e gjelbër të BE-së.

Ky është një investim që kontribuon në zhvillimin e transportit të gjelbër dhe të qëndrueshëm dhe nxitjen e kalimit nga transporti rrugor në atë hekurudhor në vendin tonë dhe në rritjen e lidhjes rajonale dhe në efikasitetin e transportit hekurudhor të mallrave dhe pasagjerëve.

Linja hekurudhore Vorë – Hani i Hotit (kufi me Malin e Zi), është 120 km e gjatë dhe shpejtësia e lëvizjes së trenave do të jetë deri në 120 km/orë. Ajo do të jetë një linjë hekurudhore e elektrifikuar, e kategorisë UIC D4.

Gjithashtu, projekti parashikon ndërtimin e 12 stacioneve hekurudhore, ndërtimin e një tuneli me gjatësi 320 metër, ndërtimin e 12 urave etj. Me ndërtimin e kësaj linje hekurudhore pritet një fluks udhëtarësh prej 2 300 000 udhëtarësh/vit dhe volum mallrash prej 900 000 tonësh/vit. Koha mesatare e udhëtimit nga Vora në Hanin e Hotit pritet të jetë 2 orë.

Projekti do të kontribuojë në rritjen e ndjeshme të lëvizjes hekurudhore të mallrave dhe pasagjerëve që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria nëpërmjet zgjerimit të rrjetit kryesor TEN-T, që mbërrin në Portin e Durrësit ose që del nga Shqipëria drejt vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Procedurat e prokurimit do të përfundojnë brenda këtij viti dhe në fillim të vitit 2025 nis zbatimi i projektit që parashikon të përfundojë ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit brenda vitit 2030.

Marrëveshja e huas me Bankës Europiane për Zhvillim (BERZH) në vlerën prej 98 750 000 eurosh për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Ky financim ndahet në dy transhe: një i angazhuar prej 84 500 000 euro, si dhe një transh i paangazhuar prej 14 250 000 eurosh, i cili do të angazhohet pas plotësimit të një sërë kushtesh të parashikuara në marrëveshje. Kohëzgjatja e pagesës së huas do të jetë 17 vjet, duke përfshirë periudhën prej 5 vjetësh pa pagesë principali.

Ndërkaq, gjatë diskutimeve u dhanë detaje edhe për korridorin 8 hekurudhor, që në territorin shqiptar nis nga Porti i Durrësit e do të bëje lidhjen me Maqedoninë e Veriut, duke specifikuar se për segmentin Rrogozhinë – Lin po kryhet një studim i ri.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Mbledhja e komisionit vijoi me shqyrtimin e Projektligjit “Për miratimin e vendimit nr.1/2023 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale Pan-Euro-Mediteriane të Origjinës për ndryshimin e Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale Pan-Euro-Mediteriane të Origjinës dhe të rekomandimit nr.1/2023 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale Pan-Euro-Mediteriane të Origjinës, në lidhje me përdorimin e certifikatave të qarkullimit të lëshuara në mënyrë elektronike, të 2 datës 7 dhjetor 2023”.

Marrëveshja në fjalë synon të unifikojë brenda bllokut Pan-Euro-Mediterian ato që quhen rregullat e origjinës. Për të gjitha marrëveshjet tregtare rregullat e origjinës janë në themel të tyre, pra vendet kanë nevojë që për të përcaktuar kuotat preferenciale për produktet që hyjnë në vendet e tyre, të kenë informacion se nga cili vend këto produkte e kanë origjinën. Shqipëria në 2012 ka ratifikuar këtë marrëveshje që është iniciuar nga BE për të unifikuar rregullat e origjinës ndërmjet vendeve të BE, vendeve kandidate për hyrjen në BE, një bllok vendesh të Mesdheut dhe të Afrikës Veriore. Kjo marrëveshje do të lehtësojë krijimin e zinxhirit të vlerës në nivel rajonal. Do lejohet dhe kalimi i informacionit në mënyrë elektronike të certifikatave të origjinës. Doganat shqiptare mund t’i marrin në mënyrë elektronike të dhënat. Ky proces është iniciuar nga BE dhe drejtohet prej tij..

/ata.gov.al